Ish-kryetari i LPK-së, Bedri Islami në një intervistë të dhënë për Fol Drejt, ka thënë se nuk është fajtor Thaçi për themelimin e Gjykatës Speciale, pasi ajo me ose pa dëshirën e Thaçit do të formohej gjithsesi.
Islami, i pyetur nga Fol Drejt se a është Hashim Thaçi fajtor për themelimin e Gjykatës Speciale, pasi ai e inicoi në Kuvend si dhe u akuzua nga deputetët se bëri presion mbi ta për ta votuar Gjykatën?
Tha se nuk është faji i Thaçit themelimi i Gjykatës Speciale. Me dëshirën apo jo të Thaçit, ajo do të formohej.
“Nuk është faji i Thaçit themelimi i Gjykatës Speciale. Me dëshirën apo jo të Thaçit, ajo do të formohej. Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë këtë. Faji nuk është të ajo që është vepruar në momentet e fundit, pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Evropës rreth Raportit famkeq të Dick Martyt, që është në fakt raporti i shërbimit inteligjent dhe prokurorisë serbe. Faji mbetet gjithnjë jetim por jam i bindur se Kosova, e përkundur në paqen e saj, pra shkallët e epërme të politikës, harruan se kanë fqinj një komb që mashtrimin e quan krenari kombëtare. Serbia u përgatit për Hagën që kur filloi lufta, sepse kishte mekanizmat e saj. Kosova nuk u përgatit kurrë për të paditur shtetin serb për gjenocid në Kosovë. As tani nuk po bën asgjë. Dhe, si duket, nuk do e bëjë. Nëse Kosova nuk do e kishte ngritur vetë Gjykatën Speciale, atë do ta bënte Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Faji i parlamentit shqiptar është se, i nervozuar nga presioni për të votuar një amendament kushtetues që bënte të mundur funksionimin e kësaj gjykate, nuk i kushtuan vemendje kontrollit mbi këtë strukturë, si institucion kushtetues dhe sot, të gjitha njësitë e saj kanë dalur jashtë kontrollit parlamentar, sillen harbutërisht, keqtrajtojnë ngjarje dhe bëjnë hetime të vazhdueshme, edhe pse ka dy vite që disa figura të rëndësishme të Kosovës janë të arrestuar. Ata që mendojnë se dënimi i liderëve të luftës nuk është dënim i UÇK-së dhe luftës çlirimtare, në rastin më të mirë janë naiv”, kjo është përgjigjia e tij e plotë dhënë për Fol Drejt.