Kryeministri hungarez Viktor Orban komentoi sot përfundimin e mundshëm të luftës në Ukrainë, e cila po vazhdon prej një viti të plotë, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Orban njoftoi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter se bisedimet e paqes nevojiten urgjentisht.
“Rusia nuk mund të fitojë sepse e gjithë bota perëndimore është rreshtuar pas Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Rusia është një fuqi bërthamore dhe një fuqi bërthamore nuk mund të futet në qoshe sepse mund të shkaktojë një luftë bërthamore. Ne kemi nevojë për një armëpushim dhe bisedime paqeje sa më shpejt më mirë”, tha Orban.
Më herët, ju kujtojmë, ai tha se e vetmja mënyrë se si do të përfundojë lufta është fitorja e Rusisë, e cila sipas tij është e pashmangshme, ose hyrja e forcave të NATO-s në Ukrainë dhe shkaktimi i një lufte bërthamore që shkatërron Evropën.
Orban, i cili kishte lidhje të ngushta me Vladimir Putin gjatë mandatit të tij 13-vjeçar si kryeministër, ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë dhe vazhdon të marrë naftë ruse pavarësisht një ndalimi të gjerë evropian.
Në një takim me The American Conservative në fund të janarit, ai e përshkroi Ukrainën si një “tokë të askujt”, duke sugjeruar se është një zonë lufte që nuk mund të kthehet në paqe.
Ai përsëriti gjithashtu linjën konsistente të Kremlinit se konflikti në Ukrainë është një luftë ndërmjetëse midis Rusisë dhe Perëndimit, një term që Kievi e sheh fyes pasi qindra mijëra ushtarë dhe civilë vdesin duke u përpjekur të zmbrapsin ushtrinë e Putinit.
Perëndimi “është në luftë me Rusinë. Ky është një realitet,” tha ai. “Çdo ditë ne ecim përpara”.
Qëndrimi i Orbanit për luftën në Ukrainë e ka lënë atë të izoluar mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe ai e ka përdorur pozicionin e tij për të injoruar përpjekjet në të gjithë Evropën për t’u larguar nga varësia nga karburantet fosile ruse. /FolDrejt/