Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka befasuar me një deklaratë të tij, ku ka kërkuar nga deputetët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë që qysh nesër të votojnë për bashkim kombëtar, shkruan Fol Drejt.
Këtë deklaratë ai e bëri publike në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
“Nesër të korrigjohet padrejtësia historike, në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës të votohet:
Për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.
Pasi që Kosova ka shënuar 14 vite shtet sovran dhe i pavarur, është koha që në këtë 110 vjetor të Pavarsisë së Shqiperisë, NE të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë te votojmë:
Për bashkim në Konfederatën e Shteteve Shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkroi Haxhiu.
Tutje, ai tha se duhet të bashkohemi në një Shtet, me një Qeveri, me një Senat, me dy kongrese Kosovë e Shqipëri.
“Jemi të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë, është koha për vendime të rëndësishme për kombin tonë për të ruajtur identitetin shqiptar dhe për të qenë aty ku e kemi vendin bashkë në Bashkimin Europian.
Nga mbledhje e takime kozmetike të përfaqesuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, tani duhet guxim dhe veprim për vendime përmbajtësore dhe vizionare për kombin tonë. Kjo eshte e mundur, kjo eshte rruga e bashkimit Kombëtar në Konfederatën Shqiptare”, vazhdoi ai.
Më tej, Haxhiu theksoi se si përfaqësues i popullit, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, kërkon nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollai dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që në takimin e nesërm në mbledhjen e deputetëve të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë të hidhet në votim: Për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.
“Kjo është rruga e drejt, ky është amaneti i dëshmorëve të kombit shqiptar ndër shekuj me radhë që kanë rënë në altarin e lirisë, me idealin e bashkimit kombëtar”, përfundoi deputeti i PDK-së. /FolDrejt/