Më 27 janar, Qeveria e Belgjikës vendosi të ndajë paketën më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën në shumën 92 milionë euro, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Në përgjithësi, vendi ynë ka dhënë tashmë 146 milionë euro ndihmë ushtarake. Sot, Këshilli i Ministrave vendosi t’i dërgojë Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 92 milionë euro,” tha kryeministri Alexander De Croo.
Sipas ministres së Mbrojtjes, Ludivine Dedonder, bëhet fjalë për raketa të mbrojtjes ajrore, raketa antitank, mitralozë, granata, municione, kamionë, fuoristrada të blinduara.
Ajo shtoi se një pjesë e pajisjeve do të merret nga magazinat e Ministrisë së Mbrojtjes së Belgjikës, ndërsa një pjesë do të blihet nga kompanitë private.
Belgjika gjithashtu do t’i japë Ukrainës 69 milionë euro ndihmë humanitare.
Përveç kësaj, De Croo vuri në dukje se asetet ruse me vlerë 58 miliardë euro tashmë ishin ngrirë në Belgjikë.
Siç raportohet, ministrja belge e Mbrojtjes Ludivine Dedonder vizitoi ushtarët ukrainas që po trajtoheshin në Spitalin Ushtarak Queen Astrid në Bruksel. /FolDrejt/