Lajmin e djeshëm për ofertën e madhe të mbërritur nga Arabia Saudite për Karim Benzeman e ka konfirmuar sonte gazetari Fabrizio Romano, i cili pretendon se francezi ka zhvilluar sot bisedime me Real Madridin.
Fituesi aktual i Topit të Artë mori një ofertë të pabesueshme prej rreth 100 milionë euro në sezon nga një klub saudit, i paidentifikuar për publikun.
Lajmi u raportua dje nga mediat spanjolle, ndërsa këtë mbrëmje e konfirmoi Fabrizio Romano, i cili më tej thekson se Benzema tashmë ka zhvilluar një intervistë me skuadrën e tij Real Madrid.
Benzema, sipas Romanos, ka njoftuar drejtuesit e Realit në një takim për ofertën që ka marrë. Ai i tha klubit se po e shqyrton seriozisht ofertën dhe se shumë shpejt do të marrë një vendim përfundimtar.
Karim arriti një marrëveshje me Realin për një kontratë të re deri në qershor të vitit 2024, por një vazhdim i bashkëpunimit nuk u nënshkrua kurrë. Kontrata bazohet në një marrëveshje verbale.
Real Madridi tashmë është në pritje të vendimit të Karim Benzemas, pasi dokumentacioni për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për një vit me klubin madrilien është gati dhe pritet vetëm nënshkrimi. Gjithsesi, oferta nga Arabia Saudite, me të gjitha llogaritë, do të prishë planet e Realit.
Nëse largohet nga Reali këtë verë, Benzema do të lërë shifra të mëdha pas vetes. Ai bëri 647 paraqitje në të cilat shënoi 353 gola dhe 165 asistime.
Me Realin ka qenë katër herë kampion i Spanjës, pesë herë kampion i Evropës dhe me këtë klub ka fituar edhe 15 trofe të tjerë në Spanjë, Evropë dhe botë. Vitin e kaluar ai fitoi titullin e lojtarit më të mirë në botë, transmeton Fol Drejt.