Zyrtarisht futbollisti më i mirë në botë, Karim Benzema, ka folur për të ardhmen e tij dhe i ka dhënë fund spekulimeve që prej ditësh po qarkullojnë në mediat botërore.
Prej ditësh shkruhet për Benzemën se ai vendosi të transferohej në Arabinë Saudite pasi mori një ofertë prej 100 milionë eurosh në sezon nga një klub atje, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Gazetari Fabrizio Romano konfirmoi se Benzema ka pasur një bisedë me përfaqësuesit e Realit dhe i ka bërë të ditur se është i interesuar të transferohet në Arabinë Saudite këtë verë, pasi kontrata e tij me Realin po i skadon.
Më vonë doli se klubi që i ofroi një kontratë ishte Al-Ittihad. Megjithatë, francezi deklaroi sot se asgjë nuk ka mbaruar dhe se është ende te Reali.
“Qëndro apo largohu nga Reali? Unë jam këtu tani, ne kemi një lojë të shtunën. A duhet të flas me tifozët e Realit për të ardhmen time? Për çfarë duhet të flas? Pse të flas për të ardhmen, nëse jam ende këtu në Madrid. Ata thonë se është një punë e përfunduar. Por, për të flitet në internet dhe interneti nuk është realitet”, tha Benzema.
Meqë ra fjala, prej disa kohësh Benzema ka një marrëveshje verbale me Realin për vazhdimin e bashkëpunimit, por duke qenë se ende nuk është nënshkruar asgjë, ai ka mundësi të kalojë në një klub tjetër si lojtar i lirë, transmeton Fol Drejt.