“Arti nuk është i thjeshtë sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art”
Nga Qëndresa Beqiri
Harresa është mekanizmi mbrojtës për të mos ndier dhimbjet, por kur shpirti të troshitet nga vuajtja, nënçmimi, shfrytëzimi e pafuqia, atëherë edhe harrimi të harron. Në këtë roman shoh vjeshtë në pranverë, ku personazhet janë të larguara nga njëra-tjetra, sikur magneti kur refuzon polet e njëjta. Para se të filloja t’i shkruaja këta rreshta të parë, në mendjen time blova e blova për të satën herë fjali nga më të ndryshmet sepse këto topika që gërshetohen aq paralelisht me njëra-tjetrën, shpesh më dilnin si shkrepëtima dritash që përplasen e zbërthejnë njëra-tjetrën, ashtu si deti që është magjepës nga bregu, por kur je në mes tij e kupton sa i brishtë është.
Kështu është edhe ky roman, si një gërshet i brishtë dhe i hijshëm, por çfarë i duhet hijeshia kur është i prerë? Të prera janë edhe fatet e grave në këtë roman, fate të cilat autorja Majlinda Bregasi përmes një narracioni aq të pastër, na vë përballë tri gjeneratave, të cilat jetojnë paralel, ani pse nuk e duan praninë e njëra-tjetrës. “Gërsheti i prerë” është simbolizim i së kaluarës dhe së tashmes, ku që të dyja e shtrydhin fort të ardhmen. Çdo dilemë e dyshim fillon me gënjeshtër, atë që ne së pari ia bëjmë vetvetes, pastaj tentojmë ta hedhim te tjetri.
Qysh në fillim të romanit autorja në vija të trasha na jep idenë e një raporti nënë-bijë, ku kjo e fundit guxon ta vë në dyshim dashurinë e nënës ndaj saj. Koha aktuale na lejon të mendojmë këso lloj gjërash, por këtu nëna sikur zbret nga ai piedestali i qiellit dhe vendoset me këmbë e fytyrë në tokë. Nënat përplasen si të pavlera në sytë e fëmijëve dhe Vera që del si personazhi kryesor, lodhet, zhgënjehet, mbështetet me duar për muri, saqë edhe guxon ta mendojë jetën pa të bijën Emën, kurse Ema e dëshiron jetën e saj pa të, duke e akuzuar për çfarë ka bërë e çfarë nuk ka bërë.
Vera e bija e një të internuare politike në një kamp përqendrimi në Itali, nuk dinte ndryshe t’i jepte ngjyra jetës së saj dhe së bijës, Emës, ku fëmijëria e saj mbetet e stolisur me imagjinatë dhe ditët e mira mund t’i numërosh në gishta sepse paaftësia për komunikim gjithmonë shumëzohet me zero.
Rivaliteti, tentativa për vetvrasje, mosbesimi, abuzimi, shftytëzimi, lufta për pushtet e karrierë, jeta, familja e dashuria vijnë nga faktori burrë dhe grua në këtë roman. Burri që mungon e që sjellë mungesë dhe gruaja që nuk mungon, por prapë duket sikur nuk ekziston aty. Ema e ndien nevojën e të dyve, babait që iku e i la dhe të nënës që aty nën një kulm jetojnë, por nuk arrin të gjejë paqe me të. Përkundër çdo lloj sfide Vera nuk dorëzohet, sikurse as nuk u dorëzua kur kaloi telat me gjemba nga kampi i internimit në moshën 13 vjeçare. Këto histori tregohen përmes një ditari, ditarit të Rinës, nënës së Verës.
Rina sikurse edhe shumë fëmijë të tjerë në kohë komunizmi, detyrohet të jetojë si armik i populit të vet, duke u malltretuar e shtypur, ku diktatura në roman del si pjellë e mendjeve të sëmura. Në një raport si ky nuk është vetëm një problem, por janë disa të tillë. Mungesa e një burri në shtëpi, një babai, një fryme sigurie e dashurie, janë zinxhir i boshllëkut dhe raporteve mes tyre. Personazhi burrë në këtë roman është vetëm hije e grave protagoniste, të cilët vetëm e vështirësojnë jetën e tyre.
Historia e tri gjeneratave përdegëzohet nga një frikë, pasiguri e ftohtësi e brishtë, gjë e cila e bënë të pamundur shfaqjen e dashurisë mes nënës dhe vajzës, qoftë mes Rinës dhe Verës, apo mes Verës dhe Emës. Secila ditë e jetuar nga të tri personazhet të jep përshtypjen se më mirë është një ditë më pak nga jeta, sesa një ditë më shumë në ferr, sepse gabimi më i madh që nuk i falet njeriut ështe heqja dorë nga liria.
Gruaja e këtij gërsheti na del në dimensione të ndryshme. Në të njëjtën kohë ajo është e akullt, e dashur dhe e brishtë. Rina nuk mund të shfaqë dashuri për të bijën Verën, kur e tërë jeta e saj rrodhi mes lotësh, frikës e diktaturës. Vera, që të gjitha i pati përveç dashurisë së nënës, arrin të mendojë për mos ekzistencën e së bijës Emës, kurse kjo e fundit lutet për vdekjen e nënës, sepse edhe një i pashpirt do të ishte më i dashur se ajo. Është një lidhje mes tyre, që u përcoll brez pas brezi duke lënë gjurmë të mëdha, sepse nuk mund të jesh edhe burrë edhe grua në të njëjtën kohë.
Romani përcillet nga përsëritja e nocioneve, jashtë rolit të të qenurit nënë, duke ngritur pyetje se mos ndoshta janë gabim, kështu që roli i gruas shqiptare del qartë në këtë roman. Edhe gruaja është njeri, rrëzohet e ngritet, mund të jetojë e të gabojë, të lëshohet në kthetrat e atyre që vetëm shfrytëzojnë e pastaj largohen. Kjo histori, më kujton edhe 10000 konviktoret e “Nudo-s” të Ridvan Dibrës, të cilat shihen vetëm si objekt shftytëzimi. Edhe Nudoja e vendosur në mes të qytetit ishte e zhveshur, e shaktërruar nga ata që kalonin natën me të e më pas e hidhnin si një copë letre.
Ky është imazhi i gruas në sytë e atyre të pangopurve, synim i të cilëve ishe absurdi, psikika e djallëzuar e pushtimi, por të gjithë burrat e shfaqur në këto dy vepra harrojnë se nga çdo pushtim vjen dështimi. Ç‘dallim ka një skulpturë e akullt, e fohtë, me një grua të shfrytëzuar e të përvuajtur që vetëm ecën nëpër tokë, sepse shpirti ka kohë që nuk i takon? Kështu ndihet edhe Vera, një grua e abuzuar, e shfrytëzuar, njësoj sikur ajo skulptura e Alfredo Bokes. Edhe pse dy romane me një ngjarje rrëfimi krejtësisht tjetër, dalin në pah disa pika të përbashkëta të dhimbjes, luftës, pushtetit e gruas.
Gratë e romaneve janë të bukura e pa të meta, por jo në sytë e atyre që duhet të jenë. Ema e do fuqinë e nënës, dashurinë e ngrohtësinë e saj, por ballafaqohet me problemin e pranimit dhe paragjykimit. Pas aksidentit të Verës, ajo sheh përtej atij muri që kishte krijuar mes tyre, i cili fillon të bie tullë mbas tulle kur mban në duar gërshetin e saj të prerë. Tani nuk ka kujt t’ia përplasë derën në fytyrë, as ta shajë as ta pështyjë. Ditët e Verës në koma të shkaktuara nga hematoma, kalojnë duke kujtuar të kaluarën, kurse ato të Emës janë një koktej i hidhur, në të cilin është i përzier krejt çfarë ekziston, ku në gllënjkën e fundit sytë e Verës pëlcasin, kurse shpirti ik, shkon./FolDrejt/