Kryediplomatja jonë sot ka bërë një gafë të radhës, ndërsa shumë e kritikuan, duke e cilësuar si të “papjekur” e të “pamatur” në deklarata, shkruan Fol Drejt.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla sot në fjalën e saj në Forumin e Dubrovnikut kritikoi ashpër BE-në duke thënë se ajo pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është “tigër prej letre”.
“…Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është BE-ja unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet.
Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, është shprehur ajo.
Për këtë i ka reaguar emisari special i BE-së Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë – Serbi:
“Gjëja e parë që dua të them është se BE-ja është larg të qenit perfekt, por është më e mira që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka bashkim tjetër shtetesh në këtë planet qe ka sjellë stabilitet politik, prosperitet ekonomik, kohezion social më të madh dhe respekt për të drejtat e njeriut. Kështu që mendoj se hyrja në BE është arritje dhe ëndërr e vendeve që trokasin në dyert e BE-së”, ka thënë emisari evropian.
E zëshme, ndërkaq, është treguar opozita pas kësaj deklarate.
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka cilësuar si të papërgjegjshme. Ish kryediplomati Enver Hoxha tha se ishte e paimagjinueshme që Kosova të shfaqej kundër Perëndimit, edhe atë në një konferencë ndërkombëtare.
Duket që kjo deklaratë, do t’i nxisë edhe më shumë reagime./FolDrejt/