Ish-komandanti Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka përkujtuar sektorin e ndërlidhjes dhe qendrën e komunikimeve dhe përgjimeve elektronike të kësaj brigade, njësit ky që mbante emrin “FLAMURI”.
Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “FLAMURI” ka qenë boshti kurrizor i tërë sistemit të komunikimeve dhe përgjimeve elektronike të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
“Dua t’i falënderoj nga zemra pjesëtaret e “FLAMURIT” për punën e mrekullueshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm në suksesin e Betejës së Koshares, komandantin e njësisë Gani Begun, Fisnik Ismailin, Burim Berishën dhe të gjithë djemtë tjerë, një nga një”, ka shkruar Berisha.
Postimi i plotë i Berishës:
Falënderim “FLAMURIT”
“Në Betejën e Koshares kemi pasur shumë flamuj, por vetëm një ka qenë “FLAMURI”. Kështu e kemi quajtur “Sektorin e ndërlidhjes dhe qendrën e komunikimeve dhe përgjimeve elektronike”.
Kjo njësi, që në zinxhirin komandues i ka raportuar drejtpërdrejt komandantit të Brigadës, mbi të gjitha ka shpëtuar jetën e shumë ushtarëve tanë, përderisa ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të humbjeve të armikut. Ja një shembull: “FLAMURI” në shumë raste ka arritur që përmes përgjimit të radiokomunikimeve të armikut, t’i zbulojë saktësisht koordinatat se ku do të bien predhat e tyre, dhe, duke i lajmëruar menjëherë njësitë tona ushtarake në ato pika, u kanë mundësuar që të ripozicionohen në një largësi të sigurt nga predhat e armikut që u shkonin huq.
“FLAMURI”, gjithashtu me përgjime, shumë herë i ka zbuluar koordinatat e sakta të pozicioneve të trupave të armikut, dhe rezultati dihej: “APOKALIPSAT” i dërrmonin me zjarr të koncentruar në ato koordinata duke i bërë shkrumb, apo “blozhdë”, qysh thotë Fisi. Nëse predhat tona nuk ishin kaq të sakta, “FLAMURI” ishte aty për t’i koordinuar radiokomunikimet për korrigjim të zjarrit, dhe – BINGO!
Rol të madh ka pasur edhe futja në funksion nga “FLAMURI” e radio-centralit që e kishim zënë peng nga armiku në kazermën e Koshares. Me këtë pajisje, “FLAMURI” ka mundësuar që komunikimet tona të bëhen pa pengesa në tërë rajonin e gjerë të Betejës së Koshares. Nëse njësitë tona ishin larg njëra-tjetrës dhe nuk mund të komunikonin horizontalisht, “FLAMURI” i përçonte këto komunikime nga qendra nëpër çdo njësi të adresuar. Përmes këtij centrali, “FLAMURI” ka arritur edhe t’i zhurmojë komunikimet e njësive të armikut duke i lënë të izoluara, si cak më i lehtë për zjarrin e Brigadën sonë.
Në “FLAMURI”, Jupi ka bërë edhe kodimin e radiolidhjeve të rëndësisë së veçantë, duke i bërë të papërgjueshme për armikun.
“FLAMURI” ka qenë boshti kurrizor i tërë sistemit të komunikimeve dhe përgjimeve elektronike të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Dua t’i falënderoj nga zemra pjesëtaret e “FLAMURIT” për punën e mrekullueshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm në suksesin e Betejës së Koshares, komandantin e njësisë Gani Begun, Fisnik Ismailin, Burim Berishën dhe të gjithë djemtë tjerë, një nga një”, ka shkruar Berisha.