Protestat e qeta në Universitetin e Lirë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, të cilat kishin për qëllim sensibilizimin ndaj sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, morën një kthesë dramatike kur me kërkesë të administratës së institucionit arsimor ndërhyri policia.
Në ndërtesën Rostlaube u mblodhën një numër i madh studentësh për të shprehur revoltë ndaj izraelit dhe “qëndrimit të njëanshëm të administratës ndaj dhunës në Palestinë”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Studentët ekspozuan fotot e fëmijëve të vrarë gjatë bombardimeve në Gaza dhe shpalosën flamurin e Palestinës, si dhe transparentë “Ndaloni gjenocidin në Gaza”, “Mbi 8.000 fëmijë janë vrarë në Gaza, ku është dënimi?”.
Pavarësisht paralajmërimeve të administratës për t’u larguar nga ambientet, studentët qëndruan ulur dhe vijuan protestën e tyre. Demonstratat përfshinin prezantime mbi situatën në Palestinë, Gaza dhe zhvillimet më të gjera në Lindjen e Mesme.
Gjatë tubimit u dëgjuan parulla “Liri për Palestinën” dhe “Gjermania financon, Izraeli bombardon”.
Pas protestave disa orëshe, policia me kërkesë të administratës largoi studentët nga ambientet.
Ndërhyrja e dhunshme e policisë ndaj studentëve shkaktoi reagime të qeta të protestuesve, ndërsa shumica e tyre u larguan vullnetarisht nga salla.
Ndërkohë, një grup prej katër personash, me një flamur izraelit, u ulën në rreshtin e fundit të amfiteatrit gjatë protestës.