Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq ka thënë së fundi se Aleksandër Vuçiq ka arritur ta eliminojë rrezikun e vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, shkruajnë mediat beogradase, transmeton Fol Drejt.
Sipas Pik.tv, një medium që vlerësohet të jetë i afërm me Vuçiqin, presidenti Vuçiq ia ka dalë mbanë që në Samitin e Spanjës që po mbahet në Granada, t’i bindë liderët evropianë dhe botëror, që Serbisë të mos i vendosen sanksione, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Presidenti pati shumë takime atje me shumë zyrtarë dhe ne biseduam sot në mëngjes rreth një orë e gjysmë pasi ai i mbaroi takimet. Doja ta mbështesja sepse nuk jam as e sigurt nëse e kuptoj plotësisht barrën e madhe që ai e mori përsipër. Mbrojti Serbinë dhe popullin serb në Kosovë dhe Metohi, dhe se arriti ta largojë rrezikun e menjëhershëm të vendosjes së sanksioneve, por nuk mund të flas për detaje”, citohet të ketë thënë Bërnabiq.
Sipas saj tashmë “ka nisur një ortek dezinformatash nga Prishtina”, për ta sulmuar Beogradin zyrtar, në mënyrë që shteti i saj të goditet nga sanksionet.
E vërteta është se pas sulmit terroristë të 24 shtatorit, doli që grupi udhëhiqej nga nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiq, të cilin Vuçiqi e ka cilësuar publikisht si “ushtar i Serbisë” në Kosovë. Veç kësaj, një arsenal armësh, kryesisht prodhime serbe, u gjetën pas hetimeve të policisë dhe KFOR-it, duke dëshmuar edhe një herë për lidhjet e grupit të terroristëve me Serbinë./FolDrejt/