Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu Shoshi, në seancën e sotme, përgjatë kohës së dedikuar për pyetje parlamentare, ia ka shtruar një të tillë Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, shkruan Fol Drejt.
Në të vërtetë Musliu Shoshi ia ka lëshuar një videoincizim gjatë një prononcimi për media Bislimit, ku ai shpreh qëndrimin rreth bisedimeve dhe Asociacionit.
Si përgjigje Bislimi ka dalë në foltoren e parlamentit dhe e ka falënderuar Shoshin për pyetjen e shtruar, por ka shprehur çudi ndërkohë se si ajo po kërkon vëmendje publike me çdo kusht:
“E nderuara deputete Musliu Shoshi, faleminderit për pyetjen dhe për përkujdesin maksimal për të përcjell çdo detaj të intervistave të mia në përgjithësi… Po ashtu është i pakuptimtë epshi juaj për me marr vëmendje publike, por është e parëndësishme…”
Ndërkohë për shprehjen “epsh” ia ka tërhequr vëmendjen edhe Kryetari i Kuvendit Besnik Bislimi.
Por Bislimi ka vijuar në përgjigjen e pyetjes:
“Është mirë që kur i përcillni intervistat, t’i përcillni intervistat, jo fjalinë. Në të njëjtën intervistë të cilës ju i referoheni thuhet si vijon: për çështjen e minoriteteve, do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti, integriteti territorial dhe funksionaliteti i Kosovës nuk është në pikëpyetje. Asnjë prej këtyre kushteve nuk është përmbushur. Është deklarata e 22 qershorit 2022. E nderuara deputete, merreni marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit, dhe nxirreni konstatimin për atë se a vihet në pikëpyetje sovraniteti territorial, a kemi marrëveshje formale me Serbinë dhe çka thuhet për sovranitetin e Kosovës.”
Por zonja Musliu Shoshi ka vijuar me kundërpërgjigje:
“Të thash se ofendimet i ke argumentet më të forta por me mua nuk të shkojnë” – ka thënë ajo, duke vijuar se “përgjigjen ta jep luani yt, apo kryeministri yt” – ndërsa sërish e ka transmetuar një videointervistë të Kryeministrit Kurtit, në të cilën ai e pranon se ka asociacion./FolDrejt/