Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi priti në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.
Siç thuhet në komunikatë për media, në takim u bisedua për projektet zhvillimore Kosovë-Itali dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. U shpreh mirënjohja për kontributin e forcave italiane në KFOR në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend, si kontingjenti me numrin më të lartë të trupave në mision.
Gjithashtu u përshëndet dhe emërimi i Gjeneral Majorit Ristuccia si komandant i KFOR-it.
Duke theksuar potencialin e vendit tonë dhe kapacitetin zhvillimor të sektorëve tërheqës dhe strategjikë për investime, u riafirmua vullneti për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, thuhet tutje në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falenderoi ambasadorin De Riu për vizitën dhe angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka ofruar Kosovës dhe popullit të saj.