Kam nderin të hapi sot mbledhjen e 78-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës në një kohë kaq dinamike dhe me zhvillime të rëndësishme për vendin. Gjatë kësaj jave dhe asaj që lamë pas, Kryeministri Kurti është duke zhvilluar takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve me renome ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave, si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan. Një vizitë e kësaj natyre shkon përtej partneritetit politik, që e kemi gëzuar Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndër vite, duke i dhënë asaj edhe të paktën tri dimensione tjera, transmeton Fol Drejt.
Së pari, është mundësia e bashkëpunimit në rrafshin e investimeve të huaja direkte e të punësimit në vend. Meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë ekonominë më të madhe në botë, Kosova duhet të trajtojë me përkushtim mundësitë e bashkëpunimit me kompani amerikane, që të sjellim investime dhe vende të punës në Kosovë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti është kryeministri i parë, që po bën përpjekje serioze për të ndërtuar ura bashkëpunimi me sektorin privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Së dyti, duke marrë parasysh se kompanitë amerikane janë inovatorët kryesorë në fushën e teknologjisë informatike dhe duke marrë parasysh potencialin që Kosova e tregon në këtë fushë, mundësitë janë reale, që të sjellim në Kosovë njohuritë më të reja në fushën e teknologjisë informative dhe të bëjmë ndërlidhjen me tregun e ShBA-së dhe të vendeve të tjera ku operojnë këto kompani.
Së treti, diaspora e Kosovës në ShBA është një nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet, e cila ka luajtur rol qendror në çlirimin e vendit dhe vazhdon të kontribuojë në vend me gjithë mundësitë që i ofrohen. Potenciali i vajzave dhe djemve tanë në ShBA është i jashtëzakonshëm. Qëllimi ynë është ta vëmë këtë potencial në shërbim të ndërtimit të një të ardhme prosperuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, gjatë javës që lamë pas, Kosova po ashtu ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me rastin e dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, znj.Gërvalla. Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë, që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare njëherit janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila tashmë ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare, si dhe protokollet e saj.
Pas anëtarësimit, qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre, e kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe drejtpërdrejt do të kenë ndikim në funksionimin e gjyqësorit në vend. Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë në një momentum shumë pozitiv dhe të koordinuar me miqtë dhe partnerët e Kosovës.
Janë disa hapa dhe vendime të rëndësishme deri në anëtarësimin e plotë, ndërkohë Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë me përkushtim përgjatë gjithë procesit, hap-pas-hapi, në mënyrë që të sigurojmë forcimin e mbrojtjes së të drejtave e lirive elementare të qytetarëve të Kosovës dhe qasjen e tyre në institucione tjera evropiane.
Ne besojmë fuqishëm, që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët veçse e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin drejt vlerave, standardeve dhe mekanizmave integrues dhe do e mbështesin këtë rrugëtim.
Po ashtu, besojmë fuqishëm, që edhe vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën në rrafshin bilateral, por kanë mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, do të dëshmohen se nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtimi të shtetit tonë.
Ju faleminderit.
Tani të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, para se të fillojmë me pikat e rendit të ditës, më lejoni që në emër të secilit prej nesh këtu dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të inxhinierit të shkëlqyer, kryetarit të bordit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike dhe drejtorit të operimeve në operatorin e sistemit të transmisionit, Skender Gjonbalaj, t’i dërgojmë ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Dje ai u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë duke na lënë një trashëgimi të çmuar në punën dhe realizimin e pavarësimit energjetik të Kosovës në projektin për bllokun energjetik Kosovë – Shqipëri dhe në themelimin e formësimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Inxhinier Gjonbalaj do të kujtohet nga të gjithë ne saherë që flitet për sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë. Në këto momente në pallatin e Rinisë është mbajtur një mbledhje komemoraitve në nderim të punës dhe angazhimit të zotit Gjonbalajt. Dhe dëshiroj që familjes, miqve dhe familjarëve të tij të ju kërkoj falje për pamundësinë që të jemi aty bashkë me ta. Ne si qeveri e Republikës së Kosovës po angazhohemi dhe do të angazhohemi që puna e tij të marrë kuptim të plotë duke i finalizuar e jetësuar projektet ku ai ishte nismëtar. Më lejoni të nderuar anëtar të kabinetit qeveritar që në shenjë nderimi për punën dhe angazhimin e inxhinierit Gjonbalaj të ju ftoj për një minutë heshtje. Qoftë i përjetshëm kujtimi për z. Skender Gjonbalaj dhe punën e patriotizmin e tij. Faleminderit!/FolDrejt/