Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Biblioteka e Qytetit në Podujevë është pasuruar me 652 tituj të rinj librash dhe 2435 ekzemplarë nga Komuna e Podujevës nën udhëheqjen Shpejtim Bulliqit dhe Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport, shkruan Fol Drejt.
Nga ky fond, Komuna e Podujevës ka blerë 197 tituj të rinj librash dhe 1218 ekzemplarë. Ndërsa, Ministria e Kulturës e ka furnizuar bibliotekën me 455 tituj librash e 1217 ekzemplarë, përkthyer në vlerë financiare, me një shumë prej 12 mijë eurosh, transmeton Fol Drejt.
Këtë e ka bërë të ditur edhe drejtori i Kulturës në Podujevë, Pajtim Balaj. Ndër të tjera, Balaj ka shkruar se për vitin e ardhshëm kanë buxhet akoma më të madh dhe pritet që Biblioteka e Podujevës të pasurohet edhe më shumë në mënyrë që të mbulohen botimet që i mungojnë bibliotekës.
“Plani ynë ishte që ky numër të ishte edhe më i madh, mirëpo operatori ekonomik me të cilin kishim kontratë, dështoi t’i siguronte gjysmën e titujve të kërkuar nga ne si DKRS dhe nga listat e ofruara nga studentët. Vitin e ardhshëm kemi buxhet edhe më të madh për furnizime të reja”, ka shkruar Balaj në rrjetin social “Facebook”.
Nga ana tjetër, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021, Biblioteka e Podujevës kishte 41 mijë e 200 libra në ambientet e saj. Bazuar në të dhënat e ASK-së, Biblioteka e Podujevës është në mesin e bibliotekave që arrinë të siguroj më së shumti libra të rinj brenda vitit në Kosovë.
Ajo çfarë vërehet nga Komuna e Podujevës, rrespektivisht nga Drejtoria për Kulturë, është afria që e kanë krijuar me nxënësit, studentët dhe lexuesit në Bibliotekën e Qytetit. Sipas burimeve nga Komuna e Podujevës, muaj më parë drejtoria kishte kërkuar që nxënësit, studentët dhe lexuesit t’i adresojnë kërkesat në bibliotekë për literaturën që u nevojitet në mënyrë që t’i sigurojnë në vijimësi adresimet.
Kujtojmë që në luftën e fundit më 1998-1999, në Podujevë dëmet kanë qenë të mëdha. Fillimisht, në vitin 1990 të gjitha bibliotekat në Podujevë janë mbyllur nga masat e dhunshme serbe, ndërsa punëtorët shqiptarë janë përjashtuar nga puna. Sipas informacioneve nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në këtë qytet kishte 12 biblioteka, ku të gjitha janë shkatërruar e djegur gjatë luftës 1998-1999 nga forcat serbe./FolDrejt/