Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, përtej definimit rreth jetës artistike, letrare e kulturore që ofron, ishte dhe mbetet simboli i Prishtinës dhe ikona e mbarë shqiptarisë. Ajo mbetet foleja ku gjuha shqipe e identiteti i shpirtit shqiptar u ka rezistuar, luftërave, dyndjeve e dhimbjeve që kanë sjellë periudhat historike shkaku i masave të dhunshme nga aparteidi e lufta gjenocidale e ish-okupatorit serb.
Nga Gëzim Olluri
Historia e Bibliotekës Kombëtare mbartë mbi supe përplot peripeci nga e kaluara dhe është fortesa që ka luajtur rol vendimtar në zhvillimin e gjuhës shqipe në epokat e vështira historike. Aty janë gatuar e brumosur forcat intelektuale e atdhetare të vendit. Aty janë unifikuar e mbledhur figurat që kanë dhënë kontribut për shtetin e kombin. Përtej pushtimeve armiqësore që e kanë prekur përgjatë historisë, mbetet një nga reliktet madhështore të shtetit.
Dyndjet historike të kohërave
Themelimi i Bibliotekës Kombëtare ka një ravijëzim me shumë hallka, barriera, ndërrim vendndodhjesh e emërtimesh ndër dhjetëvjeçar. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ishte themeluar në nëntor të vitit 1944 në kryeqendrën e shqiptarisë, Prizrenin. Ndërrimi i emërtimeve dhe vendndodhjeve të saj lidhet ngusht me historinë e Republikës së Kosovës. Masat e dhunshme kanë bërë që shpesh simboli i Kosovës të detyrohet të mbajë emërtime të ndryshme nën vendime agresive serbe nga koha e ish-Jugosllavisë. Nga fillesat e saj e deri më sot, ka mbartur gjashtë emërtime e shumë ndërrime vendndodhjesh.
Nga viti 1944-1952, njihej si Biblioteka Krahinore. Nga viti 1956-1962, biblioteka u emërtua si Qendra e Bibliotekës së KAKM-së edhe pse ishte e mbyllur nga viti 1953-1962. Prej 1961-1970, ajo u ballafaqua me një emërtim tjetër dhe thirrej Biblioteka Popullore Krahinore. Në periudhën njëzetë vjeçare 1970-1990, mori tjetër emërtim dhe u quajt Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës. Kur filluan të ashpërsohen edhe më shumë masat e dhunshme dhe aparteidi serb nuk kursente asgjë, bibliotekës sërish iu ndërrua emri. Kësaj here mori një emërtim tjetër të detyruar nga vendimet e respresionit serb dhe u thirr si Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës e Metohisë.
Sipas të dhënave nga Fjalori Enciklopedik i Kosovës rreth Bibliotekës Kombëtare, në vitin 1953, Biblioteka ishte mbyllur dhe i gjithë fondi librar i ishte dhënë Bibliotekës së Qytetit të Prishtinës “Miladin Popović”. Mbyllja e Bibliotekës Kombëtare kishte vazhduar der në vitin 1962 kur edhe ishte rihapur dhe ishte vendosur në objektin e Galerisës së Arteve të Kosovës.
Pas çlirimit të Kosovës më 1999, mori emërtimin si Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, ndërsa nga viti 2014, mban emrin Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Pjetër Bogdani ishte veprimtar, atdhetar dhe shkrimtar i shquar shqiptar në kohëra vendimtare historike për kombin shqiptar. Ndërrimi i vendndodhjeve ka ngjarë shpesh. Herën e parë është zhvendosur më 1946 nga Prizreni historik në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Në historinë e saj, ndërrimi i vendndodhjes është bërë në vitet 1944, 1946, 1962, 1964 dhe 1982.
Infrastruktura e koleksionet bibliotekës
Bazuar në të dhënat e “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës”, ndërtimi e objektit aktual kishte filluar në vitin 1975 dhe kishte përfunduar më 1981 në kohërat e revoltave shqiptare për Liri, Drejtësi, Pavarësi e Republikë. Objekti ishte hapur më 25 Nëntor 1982 dhe ishte projektuar nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjaković nga Zagrebi i Kroacisë. “Ndërtues kryesor ishte Kombinati ndërtimor “Ramiz Sadiku” nga Prishtina, derisa enterierin e Bibliotekës e kishte realizuar ndërmarrja “Tefik Çanga” nga Ferizaj. Për ndërtimin e godinës kishin marrë pjesë 50 ndërmarrje ndërtimore nga ish-Jugosllavia dhe dy kompani nga jashtë”, shkruan në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Arkitektura e bibliotekës përbëhet nga 99 kupola të bardha me madhësi të ndryshme nga njëra-tjetra dhe e gjithë biblioteka ka hapësirë për më shumë se dy milionë libra.
Hapësira e përgjithshme kapë një perimetër prej 16 mijë e 500 metra katror prej të cilave 13 mijë e 500 metra katror janë të shfrytëzueshme. Brenda ambientit janë sallat me 600 vende, dy salla të mëdha me 400 ulëse, salla e periodikut, dhomat për fonde të veçanta dhe salla e leximit për punëtorë shkencorë. Gjithashtu, janë dy amfieatre: Amfiteatri i Madh me 150 ulëse dhe Amfiteatri i Vogël me 75 ulëse. Brenda holleve gjendet edhe Shërbimi i Restaurimit dhe Konservimit, Qendra e Internetit për Përdorues, Qendra e Trajnimeve, Arkivi Medial, Dhoma e Shkrimtarëve dhe Qendra Informative për Qeverisje Parlamentare, Depozitura e Bibliotekës së NATO-s, Këndi Amerikan i Leximit.
Koleksionet e përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare rrokin depozitimin e të gjitha materialeve të bibliotekës që botohen në Kosovë, të sigurara nga ekzemplari i detyrueshëm – botime të botuesve dhe nga shtypshkronjat në Kosovë. Pasurimi i fondeve bëhet edhe me botime vendëse e të huaja, me blerje, dhurata e shkëmbime.
Librat e periodikët e rrallë historik
Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” ruhen më shumë se 5 mijë e 302 libra të rrallë e historik. Në fondin e librarisë së rrallë historike, ruhen librat e veprat e Ioan Petri Contareni “Veneti historiae de bello nvper venetis a Selimo II, Tvrcarvm Imperatore” e botuar në Basel më 1573. Tefë (Stefë) Curani “Të nollunat e Shqypnisë”, Skenderie më 1898. Jani Vreto “Hristomaci në katër pjesë”, Sofje më 1902. Naim Be Frashëri “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” e botuar në Sofje të Bullgarisë më 1912.
Sipas shkrimeve nga BKUK (Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës), në stokun e periodikut të rrallë janë më shumë se 300 tituj, rrespektivisht 4 mijë e 160 njësi mediatike të datuara nga viti 1883. Aty ruhen titujt: “Fiamuri i Arbërit” nga Jeronim De Rada, i botuar më 1883. “Shqipëria” e Bukureshtit (1897), “Albania” e botuar në Bruksel më 1897. “Kalendari Kombiar” në Sofje i botuar më 1903. “Laimtari i Scypenis” e botuar në Romë më 1905. “La Nazione Albanese”, gjithashtu e botuar në Romë 1907. “Dielli” e Bostonit e botuar më 1909. “Zgjimi” e botuar në Korçë më 1914. “Iliria” e dalë në Boston më 1916. “Hylli i Dritës” në Shkodër më 1921. “Leka” gjithashtu në Shkodër më 1936 dhe “Përpjekja Shqiptare” e botuar në kryeqendrën shqiptare, Tiranën, në vitin 1938.
Dorëshkrimet në gjuhë të ndryshme
Nga burimet e Bibliotekës Kombëtare, thuhet se në bibliotekë ruhen 779 dorëshkrime shqipe me grafi latine, greke e arabe. Pjesa më e madhe e tyre janë dorëshkrime orientale në gjuhën arabe, osmane e persiane dhe dorëshkrime shqipe me alfabet oriental. Nga dorëshkrimet më të njohura janë kryesisht me alfabet latin: Letrat e Filip Shirokës të dërguara nga Bejruti i Libanit në redaksinë “Drita” e “Shqipetari” në Bukuresht më 1891. Gjashtë letrat e Faik Konicës nga Parisi, Brukseli dhe Londra dërguar Nikolla Naços në Bukuresht nga viti 1896-1905. Letrat e Ndre Mjedjes më 1893 dhe dorëshkrimet e Josip Relës.
Në Qendrën për Informata Shkencore ruhen koleksionet e punimeve të doktoratave dhe magjistraturave. Aty janë të botuara “Bibliografi e disertacioneve të doktoratave të Kosovës nga viti 1947 deri në vitin 1982” dhe “Katalogu i botimeve të huaja periodike në bibliotekat e Kosovës në vitin 1978”.
Bashkëpunimi me bibliotekat e tjera
Sipas informatave nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, bashkëpunimi i Bibliotekës Kombëtare me bibliotekat e tjera zë fill nga viti 1970 me shkëmbimet e literaturës nga fusha e Albanikës dhe e Ballkanikës me Bibliotekën Kombëtare amë të Shqipërisë. Bashkëpunime kishte edhe Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington dhe më pas edhe me biblioteka nga Gjermania, Austria, Franca, Rumania dhe me Hungarinë, Bullgarinë, Greqinë, Turkinë, Egjiptin e Sirinë.
Masat e represionit serb në vitet 1980 deri më 1990 ndërmorën vendime që të ndërpritet bashkëpunimi i Bibliotekës Kombëtare me Bibliotekat Kombëtare të shteteve të tjera e veçanërisht me Biblioketën Kombëtare të Shqipërisë në fushën “Albanika”. Bashkëpunimi rifilloi sërish pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës. Në shtator të vitit 2003, Biblioteka Kombëtare e themeloi zyrën për Marrëdhënie me Jashtë. Është e anëtarësuar në Agjencinë Ndërkombëtare të ISBN-së (Numri Standard Ndërkombëtar për Botime Monografike) me qendër në Berlin të Gjermanisë dhe nga viti 2016 është e anëtarësuar në IFLA (Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave) dhe pjesëmarrëse në dy komisione përfaqësuese të saj.
Dëmet nga lufta e okupuesit serb
Nga viti 1980 kur u ashpërsuan masat e dhunshme përmes forcave policore serbe e deri më 1999 kur kishte përfunduar lufta gjenocidale e Serbisë, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka pësuar dëme, humbje e shkatërrime shumë të mëdha sa i përket literaturës shqipe.
Sipas të dhënave aktuale nga Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” e gjithashtu edhe sipas të dhënave nga raporti i IFLA, para vitit 1991, Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës kishte rreth 100 bibliotekistë. Në qershor të vitit 1990, autoritetet okupuese serbe vendosën një varg masash agresive, diskriminuese e të padrejta ndaj më shumë se 90 përqind të popullatës etnike shqiptare.
Prej vitit 1990-1991, sipas të dhënave e nga raportet e Bibliotekës Kombëtare, forcat kriminale serbe nga biblioteka i kishin larguar 22 mijë e 555 njësi mediatike dhe i kishin larguar e zhdukur mbi 100 mijë libra shqip. Në verën e vitit 1991, mijëra revista e gazeta shqipe me kamionë serbë ishin dërguar në fabrikën e letrës për shkatërrim, ndërsa në dimrin e vitit 1992 gjithashtu shumë kamionë serbë i kishin larguar mbi 8 mijë revista shqipe në rrugë të panjohura. Në të njëjtat periudha kohore, asnjë libër shqip nuk ishte lejuar të hynte në ambientet e bibliotekës.
Fillimisht në Korrik të vitit 1990, Kuvendi i Serbisë kishte miratuar ligjin për marrëdhëniet e punës në situata e rrethana të veçanta. Ky ligj lejonte dhe i detyronte të largoheshin e përjashtoheshin punëtorët shqiptarë nga puna bazuar në kritere arbitrare. Në vazhdim u ndërmorën dhe u zbatuan masat e dhunshme për t’i larguar e përjashtuar nga institucionet arsimore thuajse të gjithë punëtorët vendës shqiptarë pa të drejtë, pa arsye, pa justifikime e pa të drejtë ankese.
Zbatimi i masave filloi kundër kreut të bibliotekës. Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Mehmet Gërguri, ishte përjashtuar nga puna në shtator të vitit 1990 dhe në krye të bibliotekës ishte vendosur bordi serb. Paskëtaj ishin përjashtuar nga puna edhe 99 bibliotekistë. Prej tyre 93 shqiptarë, 3 boshnjakë, 2 turq dhe një kroat. Vendimin për përjashtim të shqiptarëve nga puna e kishte nënshkruar Slobodan Kostić nga Bordi i Përkohshëm Drejtues, i cili ishte emëruar drejtor nga tetori i vitit 1990 deri në vitin 1996.
Krijimi i një sistemi shtypës, agresioni të dhunshëm dhe lufta kundër librit, shkollimit, arsimimit, edukimit e gjuhës shqipe kishte vijuar përmes politikave asimiluese në vazhdimësi, duke e ndaluar mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet arsimore anembanë territorit të Kosovës.
Largimi dhe zhdukja e librave shqip ishte bërë me vetëdije dhe pala serbe ka qenë në dijeni sepse janë lënë gjurmë. Sipas Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, në listimet e bibliotekës akoma janë regjistrat që tregojnë për largimin e librave shqip, ku librat e gjuhës shqipe e veçmas librat nga Tirana ishin të nënvizuar me një laps-kimik ngjyrë të kuqe dhe në shqip shënimi nënkuptonte “Largohet”, “E larguar”.
“Kur i kemi shikuar regjistrat e tanishëm, aty kemi hasur lista ku çdo njësi librare shqipe e librat nga Tirana ishin me një vijë ngjyrë të kuqe dhe në fund shënonte “E larguar”, “Largohet” dhe ishin larguar e zhdukur nga biblioteka”, bënë me dije Gajraku. Në mesin e qindra-mijëra librave të zhdukur e shkatërruar, disa libra ishin ruajtur në skuta të bibliotekës. Këtë e kishin thënë dëshmitarë nga koha e atëhershme, të cilët me lot në sy ishin përballë me largimin e librave shqip. E në pamundësi për t’i mbrojtur të gjitha, disa i kishin ruajtur në hollet e bibliotekës.
Bazuar në raportin e vitit 2004, shifrat tregojnë se nga viti 1990-1999 ishin larguar 22 mijë e 555 njësi mediatike dhe rezultojnë mbi 100 mijë libra të larguar. Nga ana tjetër, okupatori serb ishte munduar që gjuhën serbe ta bënte dominante kundrejt gjuhës autoktone shqipe përmes vendimeve arbitrare. Gjatë periudhës kohore 1990-1999, brenda bibliotekës kishin hyrë rreth 22 mijë libra, mirëpo asnjë në gjuhën shqipe.
Dëshmitë e kohës tregojnë se në Bibliotekën Kombëtare, në verën e vitit 1991, shumë kamionë serbë ishin mbushur me revista e gazeta shqipe dhe ishin dërguar në fabrikën e letrës për shkatërrim, ndërsa në dimrin e vitit 1992 më shumë se 8 mijë revista shqipe ishin larguar nga biblioteka me kamionë që kishin targa të Nišit, qytet jashtë Republikës së Kosovës.
Në vitin 1999, në bibliotekë ishin strehuar refugjatë serbë nga Kroacia e Bosnja-Hercegovina derisa në periudhën nga marsi deri në maj të vitit 1999, Biblioteka Kombëtare dhunshëm ishte bërë bazë e ushtrisë kriminale serbe, kur edhe ishin larguar me ta humbur luftën e shkaktuar njëherë e përgjithmonë e biblioteka ishte lënë në gjendje të shkatërruar.
Rikthimi i bibliotekës
Nga gjendja e luftës biblioteka ishte në gjendje e kushte të rrënuara dhe aktivitetet e veprimtaritë vështirë zhvilloheshin. Pas çlirimit të Kosovës më 1999, në bibliotekë ishin rikthyer punonjësit shqiptarë. Për ta rikthyer bibliotekën në binar, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kishte emëruar Bordin Ekzekutiv me ekspertë nga vendi e bota.
“Nga vjeshta e vitit 2002 e deri në pranverën e vitit 2003, falë bashkëpunimit nga Ministria e Arsimit me Zyrën Amerikane në Prishtinë, kishte arritur eksperti i bibliotekave, Kenneth Oberembt, i cili e kishte hartuar Planin Strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare të Kosovës”, shkruan në historikun e librit “Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës”. Në Janar të vitit 2003, kishte filluar të zbatohej plani sipas strukturës së re organizative dhe drejtor ishte zgjedhur Sali Bashota.
Veprimi dhe aspektet ligjore
Biblioteka Kombëtare vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Në aspektin ligjor, Biblioteka Kombëtare vepron bazuar në Ligjin për Bibliotekat, i publikuar më 4 Maj 2012 në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Sipas Nenit 17: Biblioteka Kombëtare e Kosovës është institucioni më i lartë i bibliotekave në Kosovë me seli në Prishtinë. Bazuar në Nenin 8: Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare përbëhet prej pesë anëtarëve. Sa i përket të ardhurave, Biblioteka Kombëtare financohet nga Ministria për Kulturë sipas Nenit 13 në kuadër të financimit të bibliotekave publike.
Biblioteka Kombëtare i financon edhe bibliotekat komunale përmes projekteve. Sipas Nenit 13 për financimin e bibliotekave publike, Ministria përkatëse për Kulturë, nga buxheti i vet, përmes konkursit vjetor për projekte, financon projekte të bibliotekave komunale me fondin prej pesë përqind të buxhetit të përgjithshëm vjetor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në raste të tjera, biblioteka nga fondi i saj rezervë i ndihmon edhe bibliotekat shkollore në gjithë Kosovën. Sipas Fazli Gajrakut, shpesh ndihmohen nga 7-8 deri në 10 biblioteka shkollore me libra sa herë që në bibliotekë hyjnë libra të njëjtë me ata që i kanë. “Saherë që në bibliotekë marrim libra e ndodhë që prej tyre janë të njëjtë me të tjerët brenda ambienteve, atëherë vendosim që ato libra t’i dhurojmë për 7-8 deri në 10 biblioteka shkollore”, thotë Gajraku.
Fondi librar në të kaluarën dhe aktualisht
Raporti i Bibliotekës nga Komisioni Vlerësues i Bibliotekës për Revizionimin e Koleksionit të Bibliotekës në shtator të vitit 2004 kishte bërë regjistrimin e parë paslufte. Rezultatet tregonin se në bibliotekë kishte 1 milionë e 890 mijë e 194 njësi mediatike (ekzemplarë) dhe 475 mijë e 324 tituj. Prej tyre ishin 382 mijë e 806 libra, 281 mijë e 591 revista, 984 mijë e 22 gazeta dhe 241 mijë e 775 botime të tjera.
Brenda një viti në ambientet e bibliotekës hyjnë 9 mijë njësi mediatike dhe rreth 3 mijë tituj librash. Prej tyre, 700-800 tituj dhe 1400 deri në 1500 ekzemplarë blihen nga buxheti i bibliotekës. Aktualisht në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” gjenden 2 milionë e 100 mijë njësi mediatike dhe më shumë se 500 mijë tituj librash./FolDrejt/