Juristja Xhezide Selimi, po e vazhdon aktivitetin e saj për themelimin e mini-bibliotekave. Stacioni i radhës këtë radhë ishte Drenasi. Bashkë me vullnetarët që ndërtojnë kabinat telefonike e të tjerët që dhurojnë libra, po bëjnë punë të madhe për të afruar nxënësit, studiuesit e qytetarët më afër kontaktit me librin.
Shkruan: Gëzim Olluri
Mini-biblioteka e vendosur dhe e emërtuar “Sofra Poetike” në qendër të Drenasit, është gjashta me radhë nga prijatarja e kësaj nisme, Xhezide Selimi. Së bashku me kontribuesit përmes vendosjes së mini-bibliotekave, po sjellin risi sa i përket nxitjes së leximit dhe mundësisë më të lehtë për t’u kyçur me librin. Mundësia është që të merret libri për lexim dhe të kthehet sërish, duke e ruajtur fondin librar në mini-bibliotekë e në këtë mënyrë librat të jenë aty në dispozicion të të gjithëve, shkruan Fol Drejt.
Kontributi i individëve dhe komunitetit në fusha të ndryshme përmes vullnetarizmit ndihmon jashtëzakonisht shumë shoqëritë në ndërtimin e mirëqenies së përgjithshme. Mini-biblioteka e parë në kabinë telefonike ishte vendosur në qendër të Vitisë. Ky hap që rezultoi i suksesshëm në Juglindje të Kosovës, bëri që iniciativa të vazhdojë edhe në qytetin e Gjilanit, Ferizajit, Mitrovicës, Skënderajit e së fundi edhe në qendër të Drenasit.
Bibliotekat e vogla me libra brenda në ekspozim janë shndërruar në atraktivitet për sheshet e qyteteve. Qëllimi i Selimit është që një nismë e tillë të vazhdohet edhe në qytetet e tjera, e pse jo edhe në çdo vend tjetër ku flitet shqip nëse gjejnë bashkëpunim.
“Qytetet që synojmë tashmë janë shndërruar në qytete ku artistë, shkrimtarë e qytetarë të atyre qyteteve duan të bashkpunojnë me mua për minibibliotekat e radhës. Unë mendoj që biblioteka të tilla duhet të ketë çdo sheh-qytet të Republikës së Kosovës. Por edhe jashtë saj. Gjithandej ku flitet shqip. Pse jo, kudo që gjejmë bashkëpunim”.
Që një mini-bibliotekë të vendoset në një qendër të një qyteti kudo në Kosovë, duhet leja e komunës për hapësirën publike. Sipas Selimit përparësia është që leja komunale për hapësirën publike po sigurohet shpejt dhe pa komplikime procedurale nga ana e krerëve të komunave. E kjo ua ka lehtësuar punën jashtëzakonisht shumë.
“Lejën nga komunat deri sot e kam marrë në mënyrë shumë të thjesht dhe në kohë rekord. Ka patur komuna që dhe brenda ditës kanë lëshuar vendim-pëlqimin për lejimin e shfrytëzimit të hapësirës publike. Gjërat kanë shkuar shumë bukur deri më sot. Ka gjithandej qytetarë të lumtur që sjellin libra dhe që po kanë mundësi të dhurojnë një libër për minibibliotekën dhe kudo marrë premtime nga ta se do të jenë roje të minibibliotekave”.
Fati i kësaj nisme është që qytetarët dhe figurat e shumta nga jeta publike po jenë të gatshëm për të kontribuar në themelimin e mini-bibliotekave. Për juristen ndjesia më e mirë vjen nga fëmijët dhurojnë libra, si dhe huazojnë e sërish i kthejnë në rafte.
“Sigurisht ndjesinë më të bukur në botë ma falin fëmijët që vijnë të dhurojnë apo huazojnë libra dhe i sjellin përsëri në minibiblioteka. Një kontribut shumë të madh në këtë aspekt e japin pa dyshim shkrimtarët, poetët, shtëpitë botuese, të cilët dhurojnë falas libra nga krijimtarija dhe puna e tyre. Thënë drejt ndoshta pa ta s’do mundja të ia dilja dot”.