Presidenti amerikan Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do të zhvillojnë sot bisedime konfidenciale në Uashington për luftën në Ukrainë, mes shqetësimeve në rritje se Kina mund të furnizojë Rusinë me armë.
Biden dhe Scholz do të takohen për një orë në Shtëpinë e Bardhë, tha një zyrtar i lartë amerikan për Reuters, duke shtuar se ata do të shkëmbejnë pikëpamje mbi situatën në Ukrainë dhe takimet e fundit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Tema kryesore e bisedimeve do të jetë dërgimi urgjent i armëve nga vendet perëndimore për forcat ukrainase që përgatiten për një ofensivë të re ruse në javët e ardhshme, thanë zyrtarët, transmeton Fol Drejt.