Presidenti aktual i SHBA Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump mbajtën mitingje fushate përpara ditës së fundit para zgjedhjeve afatmesme, ku amerikanët do të zgjedhin përfaqësuesit e rinj për Kongresin, si dhe guvernatorët dhe përfaqësuesit e qeverisë lokale.
Këto zgjedhje afatmesme, të cilat quhen kështu sepse “bien” në gjysmë të mandatit presidencial, do të jenë edhe një referendum i vërtetë për administratën aktuale të presidentit Joseph Biden, e cila po përballet me sfida të shumta në një kohë të polarizimit të madh të shoqërisë amerikane.
Sondazhet tregojnë se republikanët janë përpara kur bëhet fjalë për Dhomën e Përfaqësuesve, dhomën e ulët të Kongresit, ndërsa zgjedhja e anëtarëve të Senatit do të jetë më e pasigurt, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.