Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan, Joe Biden do të mbajë i vetëm një konferencë për media, pas takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Dy liderët pritet të takohen më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.
Tensionet mes dy vendeve kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit dhe paraqitja e Bidenit në konferencë, pa Putinin, po shihet si një tregues i këtyre raporteve.
Kjo mënyrë e komunikimit gjithashtu thekson dëshirën e administratës amerikane për të sfiduar Kremlinin dhe për të shmangur një lloj shfaqjeje komode me liderin rus, për të cilin Biden ka thënë se është “një vrasës”.
Biden gjendet në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar ku po merr pjesë në një samit me udhëheqës të tjerë të G7-ës, që do të përfshijë bisedime për Rusinë dhe Kinën Ai më pas shkon në Bruksel për takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Ne presim që ky takim të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit – JBS.
Biden gjithashtu do të bëjë presion mbi Putinin në lidhje me situatën në Ukrainë, burgosjen e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny dhe mbështetjen e Alyaksandr Lukashenkas në Bjellorusi.
Por, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara duan një marrëdhënie “të qëndrueshme” me Rusinë që do t’iu mundësonte të dyja vendeve të punojnë së bashku për çështje të përbashkëta strategjike.