Presidenti Joe Biden thotë se është i habitur nga kundërshtimi i vazhdueshëm i disa amerikanëve për t’u vaksinuar kundër Covid-19, veçanërisht mes republikanëve që kundërshtuan zgjedhjen e tij si president.
“Sinqerisht mendova se, pasi të kishim vaksina të mjaftueshme për të gjithë, gjendja do të fillonte të qetësohej,”tha presidenti Biden për kanalin ABC News të martën. “Dhe në fakt është qetësuar mjaft”.
Megjithatë, i tha Presidenti Biden gazetarit të ABCNews George Stephanopulos, “Unë nuk arrij ta kuptoj këtë lloj maskuliniteti në shprehjet ‘nuk do ta bëj vaksinën. Kam të drejtën si amerikan, kam lirinë time për të mos e bërë vaksinën’.
Joe Biden, i cili u vaksinua para inaugurimit të tij dy muaj më parë, tha se u tregoi amerikanëve me shembullin e vet se vaksina është e sigurt dhe ishte gjithashtu personalisht lehtësuese “sepse tani mund t’i përqafoj nipërit e mi”, tha presidenti.
“Ata vijnë më vizitojnë, mund t’i shoh dhe jam në gjendje të rri me ta”, tha presidenti.
Rreth 13% e amerikanëve të rritur, më shumë se 35 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Ish Presidenti Donald Trump dhe gruaja e tij Melania u vaksinuan të dy para se ai të largohej nga detyra.
Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit Biden dhe eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, tha për emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC të dielën e kaluar se hezitimi i çdokujt për t’u vaksinuar ishte “shqetësues” dhe “absolutisht i pakuptimtë”.