Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i ka thënë homologut të tij nga Ukraina se shteti i tij do të dërgojë sërish armë, municione dhe ndihma të tjera ushtarake në vlerë prej 800 milionë dollarësh.
“Ushtria ukrainase ka përdorur armët që ne po iu ofrojmë. Ndërsa Rusia përgatitet të intensifikojë sulmin e saj në rajonin e Donbasit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës kapacitete për t’u mbrojtur”, tha Biden në një deklaratë.
Kjo ‘pako e sigurisë’ do t’i përfshijë llojet e reja të armëve, ashtu si edhe llojet e armëve që ShBA-ja i ka ofruar Ukrainës tash e disa javë.
Pajisjet e reja përfshijnë “sisteme artilerie dhe mjete transportuese të blinduara”, thuhet në deklaratën e Biden.
“Kam miratuar edhe transferimin e helikopterëve shtesë”, ka thënë presidenti amerikan, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
800 milionë dollarët shtesë e çojnë shumën totale të ndihmës ushtarake që ShBA i ka dhënë Ukrainës në 3 miliardë dollarë.
“Furnizimi i qëndrueshëm me armë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me aleatët dhe partnerët e saj i kanë ofruar Ukrainës ka qenë vendimtare në vazhdimin e luftës së saj kundër pushtimit rus. Kjo ka ndihmuar të sigurohet që Putini ka dështuar në synimet e tij fillestare për të pushtuar dhe kontrolluar Ukrainën. Ne nuk mund të ndalemi tani”, shkroi Biden në deklaratë.
Presidenti amerikan tha se e siguroi Zelenskyn se “populli amerikan do të vazhdojë të qëndrojë me popullin trim ukrainas në luftën e tyre për liri”.