Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha të enjten se ka disa indikacione se presidenti rus Vladimir Putin po izolohet dhe po ndëshkon disa nga këshilltarët e tij, por shtoi se SHBA nuk ka shumë prova të forta për ta thënë këtë me siguri.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, kur është pyetur se sa keq po keqinformohet presidenti rus nga këshilltarët e tij, Biden u përgjigj: “… Ka shumë spekulime, por ai duket se – nuk po e them me siguri – ai duket se është i izoluar dhe ka disa indikacione se ai ka pushuar nga puna ose ka vënë në arrest shtëpie disa nga këshilltarët e tij”.
Zyrtarët e qeverisë amerikane kanë shprehur besim këtë javë në vlerësimin e inteligjencës që tregon se “Putini po keqinformohet nga këshilltarët ushtarakë për suksesin e performancës së ushtrisë ruse gjatë luftës, e cila ka vazhduar për më shumë se një muaj”.
Biden gjithashtu vuri në dukje se ai është “skeptik” që Putini do të tërheqë të gjitha forcat e tij nga rrethi i kryeqytetit ukrainas, Kiev.
“Deri më tani nuk ka asnjë provë të qartë se ai po tërheq të gjitha forcat e tij nga Kievi”, ka thënë Biden. “Ka gjithashtu prova që ai po shton trupat e tij në zonën e Donbasit”.