Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se lutet për “vendim të drejtë” në gjykimin e Derek Chauvinit – ish-policit të Mineapolisit, të akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, gjatë arrestimit të tij, vitin e kaluar.
Komentet vijnë derisa juria e gjykatës po takohet për të dytën ditë me radhë, për të shqyrtuar verdiktin e saj.
Chauvin, 45 vjeç, përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.
Dënimi maksimal që mund të marrë Chauvin, është 40 vjet burgim.
Një juri e larmishme prej 12 personash, përfshirë disa afrikano-amerikanë, është duke diskutuar për fatin e tij.
Diskutimet nisën pasi mbrojtja dhe prokuroria i bënë argumentet e fundit më 19 prill.
“Unë vetëm mund të imagjinoj presionin dhe ankthin që ajo ndjen”, tha Biden për familjen e Floydit.
“Lutem që vendimi të jetë i drejtë”, shtoi Biden.