Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se Shtetet e Bashkuara “janë pushtuar nga armët luftarake” dhe theksoi se është i vendosur të ndalojë disa lloje të armëve të zjarrit që përdoren shpesh në të shtënat masive që kanë shkaktuar katër ose më shumë viktima.
“Unë jam i vendosur t’i ndaloj përsëri këto armë,” tha Biden në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë nuk do të ndalem derisa ta bëjmë këtë”, tha Biden.
Më 25 qershor presidenti amerikan shndërroi në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme ka zgjeroi ë drejtat për armët.
Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë.
Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.
Kontrolli i armëve është kthyer tashmë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.
Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.
Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.
Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare./abcnews.al/