Ndërsa shumë gjermanë dyshojnë se do të kenë një ofertë për vaksinim deri në shtator, SHBA po e tejkalon vetveten. Brenda dy javësh të gjithë të rriturit do të kenë një ofertë për vaksinim.
Presidenti i SHBA Joe Biden bëri të ditur se të gjithë të rriturit në Amerikë mund të vaksinohen deri me 19 prill – pavarësisht nga mosha, profesioni dhe sëmundjet e mundshme të mëparshme. Në të njëjtën kohë, Biden i bëri thirrje popullatës që të ketë kujdes dhe të respektojë masat në luftën kundër pandemisë.
“Fushata jonë e vaksinimit po zhvillohet me shpejtësi”, tha Biden. SHBA është vendi i parë që ka dhënë 150 milionë vaksina, ndërsa plotësisht janë vaksinuar rreth 63 milionë njerëz. “Ne vaksinuam më shumë vetë se çdo komb tjetër në botë”, tha presidenti.
Kohët e fundit, mesatarisht janë vaksinuar rreth tre milionë njerëz në ditë, e të shtunave madje deri në katër milionë. Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në dhjetor, më shumë se 108 milionë vetë kanë marrë të paktën një dozë vaksine, më shumë se 63 milionë prej të cilëve janë imunizuar plotësisht kundër virusit Corona. Kjo do të thotë që 42 përqind e popullsisë së rritur dhe 76 përqind e atyre mbi 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë.
Në SHBA kanë vdekur nga koronavirusi më shumë se 556.000 persona, ndërsa janë infektuar më shumë se 30.800.000. Këto janë shifrat më të larta në botë.
Kur flitet për furnizimin e vendeve të tjera me vaksina, Biden tha se shpreson shumë që para fundit të verës të mund të thotë se SHBA ka më shumë vaksina sesa ju duhen, e kjo ofron mundësinë e furnizimit të vendeve të tjera të varfra. Pa pasur vaksina në mbarë botën, nuk mund të thuhet se virusi është mundur.