Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi propozim-ligjin që i jep fund urgjencës kombëtare të COVID-19.
Biden miratoi propozim-ligjin, i cili iu propozua Kongresit nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa u miratua nga të dy dhomat, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Propozim-ligji i jep fund urgjencës kombëtare të shpallur nga ish-Presidenti Donald Trump më 13 mars 2020, si dhe urgjencës së shëndetit publik të shpallur në janar 2020.
Përfundimi i urgjencës kombëtare do t’u japë fund edhe disa përjashtimeve të lidhura me COVID në kontekstin e programeve të kujdesit shëndetësor Medicare dhe Medicaid.
Masat për COVID-19 janë lehtësuar në të gjithë vendin prej disa kohësh.
Republikanët propozuan propozim-ligjin, duke iu referuar deklaratës së presidentit Biden të vitit të kaluar, kur ai tha “COVID ka mbaruar”. Ata gjithashtu kundërshtuan disa rregullore të shëndetit publik, siç janë vaksinimet e detyrueshme dhe mbajtja e maskave.
Propozim-ligji u miratua në fillim të këtij viti në Dhomën e Përfaqësuesve me një votim 220 pro dhe 210 kundër, ndërsa në Senatin u miratua muajin e kaluar me 68 pro dhe 23 kundër.
Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë njoftoi se statusi i “urgjencës kombëtare” dhe “urgjencës së shëndetit publik” do të përfundonte që nga 11 maji për të “frenuar kaosin dhe pasigurinë e gjerë në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor”./FolDrejt/