Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është duke mbajtur fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Biden nisi fjalimin duke renditur disa nga sfidat me të cilat po përballen vendet në mbarë botën, duke përfshirë pasigurinë ushqimore, konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore.
Presidenti amerikan nuk humbi rastin të komentojë luftën në Ukrainë, shkruan BBC.
Ai tha se Rusia ka tentuar të fshijë nga harta një shtet Sovran si Ukraina, teksa thotë se lufta ka të bëjë me shuarjen e së drejtës së Ukrainës për të ekzistuar si shtet.
Gjithashtu Biden theksoi se SHBA dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë me “kushte të drejta”.
Ai tha se anëtarët e OKB-së duhet të jenë të qartë, të vendosur dhe të palëkundur në vendimet e tyre ndaj Rusisë.
“Ukraina ka të njëjtat të drejta që i përkasin çdo kombi sovran. Ne do të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën dhe kundër agresionit të Rusisë”, tha Biden.
Komentet e Biden për luftën në Ukrainë vijnë pas fjalimit kombëtar të Vladimir Putin, i cili ai njoftoi një mobilizim të pjesshëm të trupave dhe akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor”. Ai bëri thirrje që ushtrisë ruse t’i shtohen më shumë rezervistë.
Putin tha se rezervistët ushtarakë do të dërgohen në Ukrainë si pjesë e një mobilizimi të pjesshëm të forcave ruse. Ndër të tjera Putin tha sot se Rusia do të përdorë çdo lloj mjeti për luftën në Ukrainë, duke nënkuptuar këtu edhe përdorimin e armëve bërthamore, raporton abcnews.al./abcnews.al/