Presidenti amerikan Joseph Biden informoi Kongresin se do t’i japë fund urgjencës së shëndetit publik për shkak të Covid-19 më 11 maj, ndërkohë që shumica e vendeve në botë i janë kthyer jetës normale pothuajse tre vjet pas raportimit të rasteve të para të koronavirusit.
Heqja e deklaratave të emergjencës në nivel kombëtar dhe në shëndetin publik do të ndryshonte zyrtarisht reagimin ndaj koronavirusit, i cili do të trajtohej si një kërcënim endemik për shëndetin publik, përcjell Fol Drejt.
Me këtë njoftim, Biden shprehu kundërshtimin e tij për rezolutat e paraqitura këtë javë nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve për përfundimin e menjëhershëm të gjendjes së jashtëzakonshme. Republikanët po përgatiten gjithashtu të nisin një hetim mbi përgjigjen e qeverisë federale ndaj Covid-19.
“Një fund i papritur i urgjencës do të krijonte kaos dhe pasiguri në të gjithë sistemin e kujdesit shëndetësor, për shtetet, për spitalet dhe zyrat e mjekëve, dhe më e rëndësishmja për dhjetëra miliona amerikanë”, tha Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë.
Ish-presidenti Donald Trump e shpalli për herë të parë pandeminë Covid-19 një emergjencë kombëtare më 13 mars 2020. Biden e ka zgjatur në mënyrë të përsëritur urgjencën që nga marrja e detyrës në janar 2021 dhe ajo do të skadojë në muajt e ardhshëm.
Më shumë se 1.1 milion njerëz në SHBA kanë vdekur nga Covid-19 që nga viti 2020, duke përfshirë rreth 3,700 javën e kaluar, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve./FolDrejt/