Shtetet e Bashkuara do të ndajnë një paketë të re ndihme ushtarake prej 500 milionë dollarësh për Ukrainën, e cila do të përfshijë raketa për sistemin HIMARS, sistemet raketore antitank Javelin etj, deklaroi presidenti amerikan Joe Biden në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë një vizite të papritur në Kiev, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Së bashku [me aleatët], ne kemi angazhuar gati 700 tanke dhe mijëra automjete të blinduara, 1000 sisteme artilerie, më shumë se 2 milionë fishekë artilerie, më shumë se 50 sisteme raketash të avancuara lëshimi, sisteme kundër anijeve dhe mbrojtjes ajrore, të gjithë për të mbrojtur Ukrainën. Dhe kjo nuk llogarit gjysmën e miliardë dollarëve të tjerë që po shpallim sot dhe nesër”, tha Biden.
Sipas Presidentit të ShBA, paketa e re e ndihmës ushtarake do të përfshijë, në veçanti, më shumë raketa për sistemet HIMARS, sisteme raketore antitank Javelin, më shumë pajisje dhe armë ushtarake.
Siç është raportuar, presidenti i ShBA Joe Biden mbërriti në Ukrainë për një vizitë të hënën më 20 shkurt. Kjo është vizita e tij e parë si kreu i Shteteve të Bashkuara. /FolDrejt/