Presidenti amerikan Joe Biden, në lidhje me rrëzimin e avionit privat në rajonin Tver të Rusisë në të cilin vdiqën dhjetë persona, duke përfshirë themeluesin e grupit ushtarak privat Wagner Yevgeny Prigozhin, tha se nuk e di se çfarë ka ndodhur, por shtoi se nuk është i befasuar, raporton Anadolu, përcjell Fol Drejt.
Duke folur për gazetarët në Kaliforni, Biden u pyet nëse presidenti rus Vladimir Putin qëndron pas këtij aksidenti.
“Ka shumë pak gjëra në Rusi në të cilat Putin nuk është i përfshirë. Megjithatë, unë ende nuk kam mjaftueshëm njohuri për të ditur përgjigjen për këtë”, tha Biden.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht, por nuk jam i befasuar”, shtoi presidenti amerikan.
Ndryshe, më herët, Ministria e Emergjencave e Rusisë njoftoi se dhjetë persona humbën jetën si pasojë e rrëzimit të avionit privat që po shkonte nga Moska për në Shën Petersburg.
Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror njoftoi se themeluesi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ka vdekur në këtë aksident.
Prigozhin pushtoi ballinat e mediave në qershor kur nisi një “rebelim të armatosur” kundër udhëheqjes ruse, të cilit i dha fund shpejt.
Rebelimi përfundoi me ndërhyrjen e presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko.