Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i quajti zgjedhjet e mes-mandatit “një ditë e mirë për demokracinë” dhe shtoi se është i gatshëm të bashkëpunojë me republikanët.
Duke folur një ditë pas zgjedhjeve për të dy dhomat e Kongresit, Biden tha se do të takohej me udhëheqësit demokratë dhe republikanë për të “diskutuar se si të punojnë së bashku deri në fund të vitit” pas udhëtimit në Indonezi për takimin e G20, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ishte një ditë e mirë për demokracinë”, tha Biden duke iu referuar zgjedhjeve të së martës.
Ai theksoi se demokracia ishte testuar në vitet e kaluara, por me votim populli amerikan foli dhe dëshmoi edhe një herë se demokracia është ajo që jemi.
Biden tha se “votuesit janë ende të frustruar”, por shtoi se “administrata sapo ka filluar”.
Ai shtoi se është optimist se opinioni do ta pranojë edhe më mirë atë që është bërë.
“Demokratët patën një natë të fortë. Ndërsa media dhe ekspertët parashikuan një valë të madhe të kuqe, kjo nuk ndodhi”, tha Biden.
Ai u pyet gjithashtu nëse po mendon të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Synimi ynë është që të kandidojmë sërish pavarësisht nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve”, tha Biden.
Presidenti amerikan theksoi se në fillim të vitit të ardhshëm do të konfirmojë nëse do të kandidojë./FolDrejt/