Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka shpallur të “përfunduar” pandeminë në SHBA, edhe pse numri i amerikanëve që po vdesin nga COVID-19 vazhdon të rritet.
Biden tha se ndërsa “ne kemi ende një problem”, situata po përmirësohet me shpejtësi.
Statistikat tregojnë se mbi 400 amerikanë mesatarisht vdesin nga virusi çdo ditë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha javën e kaluar se fundi i pandemisë është “në horizont”.
Në një intervistë me 60 Minutes në CBS, Biden tha se SHBA është ende duke bërë “shumë punë” për të kontrolluar virusin.
“Nëse e vëreni, askush nuk mban maska”, tha ai. “Të gjithë duket se janë në formë mjaft të mirë…Unë mendoj se po ndryshon”.
Deri më sot, më shumë se një milion amerikanë kanë vdekur nga pandemia.
Javën e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se bota “nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë”.
“Nuk jemi ende atje, por fundi është në horizont”, është shprehur Biden.
Biden tha se ai beson se pandemia ka pasur një ndikim “të thellë” në psikikën e amerikanëve.
“Kjo ka ndryshuar gjithçka…qëndrimet e njerëzve për veten, familjet e tyre, për gjendjen e kombit, për gjendjen e komuniteteve të tyre”, tha ai.
“Ka qenë një kohë shumë e vështirë. Shumë e vështirë”.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë në mbarë botën. SHBA-ja ka pasur numrin më të lartë të vdekjeve, e ndjekur nga India dhe Brazili.