Presidenti i ShBA-së Joe Biden ka konfirmuar se po planifikon të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës, kur të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa ende nuk janë bërë të ditura plane zyrtare për funeralin e Madhërisë së Saj, ceremonia pritet të zhvillohet brenda 10 ditëve pas vdekjes së saj.
Monarkja 96-vjeçare vdiq të enjten në shtëpinë e saj në Balmoral, Skoci, e rrethuar nga anëtarët e familjes mbretërore.
Homazhet për të kanë vërshuar nga e gjithë bota, duke përfshirë Biden, i cili e përshkroi atë si një “grua shteti me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme”.
Duke folur me gazetarët teksa hipi në Air Force One të premten, presidenti tha se e ka në plan të marrë pjesë në funeralin, por nuk i di ende detajet.
Ai shtoi se nuk ka folur me mbretin Charles III që prej vdekjes së nënës së tij, duke thënë: “Unë e njoh atë, nuk kam folur me të, nuk e kam telefonuar akoma”, shkruan Skynews, përcjell Klankosova.tv
Biden ishte presidenti i 13-të dhe i fundit amerikan që takoi Mbretëreshën, mbretërimi i së cilës zgjati shtatë dekada.
Mbretëresha kishte takuar çdo president amerikan që nga Dëight Eisenhoëer, me përjashtim të Lyndon Johnson sepse ai nuk e vizitoi Britaninë gjatë presidencës së tij.
Në një deklaratë, Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden thanë se “trashëgimia e Mbretëreshës do të duket e madhe në faqet e historisë britanike dhe në historinë e botës sonë”.
Ndërsa presidenti ka angazhuar pjesëmarrjen e tij në funeralin e monarkut, liderët e tjerë botërorë nuk kanë qenë aq të afërt.