Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ndajë këtë të diel, Medalje Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur nga kanceri në tru më 2015.
Ai ka shërbyer në Kosovë, pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.
Përmes një video-mesazhi, presidenti Biden, ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden”.
“Puna e Beaut në Kosovë ka qenë e përzemërt. Ai e ka dashur shtetin tuaj”, i ka thënë Biden presidentes Osmani.
Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.
Në njoftim është thënë edhe se këngëtarët kosovarë do të performojnë këngë të një prej grupeve të preferuara të Beau Bidenit, Coldplay.