Presidenti amerikan Joe Biden ka publikuar planin e tij të parë për shpenzime vjetore në vlerë të 6 trilionë dollarëve, që përfshin rritje të taksave për amerikanët e pasur.
Në këtë propozim përfshihen edhe programet e reja sociale dhe investimet për luftim të ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, për t’u zbatuar, plani duhet të miratohet nga Kongresi, ku senatori republikan Lindsey Graham e ka konsideruar “çmendurisht të shtrenjtë”.
Sipas planit, borxhi do të arrijë në 117 për qind të bruto prodhimit të brendshëm deri më 2031, duke tejkaluar kështu nivelet e Luftës së Dytë Botërore.
Ajo situatë do të krijohej pavarësisht të paktën 3 trilionë dollarëve të propozuar për rritje të taksave për korporata.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, republikan, po ashtu ka rritur deficitin çdo vit sa ka qenë në zyrë, dhe plani përfundimtar i shpenzimeve vjetore pati arritur në 4.8 trilionë dollarë.
Në buxhetin e Bidenit përfshihen 1.5 trilion dollarë amerikanë për shpenzime operative për Pentagonin dhe departamente tjera qeveritare.
Aty përfshihen edhe dy plane tjera: njëri 2.3 trilionë dollarë për vende të punës dhe tjetri 1.8 miliard dollarë për familje.
Biden, demokrat, ka thënë se buxheti i tij “investon në mënyrë të drejtpërdrejtë për popullin amerikan dhe do të fuqizojë ekonominë e kombit, por edhe do të rrisë gjendjen fiskale për kohë të gjatë”.