Joe Biden u tha amerikanëve se ai shpreson që kombi mund të festojë ditën e 4 korrikut edhe si “pavarësi” nga koronavirusi, por paralajmëroi se ai ka nevojë që “të gjithë të bëjnë pjesën e tyre”.
Në fjalimin e tij të parë në televizion, i konsideruar një rit presidencial për çdo banor të Zyrës Ovale, Z. Biden tha se po urdhëronte që deri më 1 maj, çdo i rritur të bëhej i kualifikuar për një nga tri vaksinat e aprovuara, përcjell Telegrafi.
“Një vit më parë ne u goditëm me një virus që u përball me heshtje dhe u përhap pa kontroll. U mohua për ditë, javë, pastaj muaj. Kjo çoi në më shumë vdekje”, citohet të ketë filluar ai fjalimin, duke iu referuar qartë paraardhësit të tij, Donald Trump.
Më vonë, ai tha se kishte nevojë për të gjithë amerikanët që të bënin pjesën e tyre për të luftuar përhapjen e sëmundjes – të vishnin maska, të vaksinoheshin dhe të vazhdonin të respektonin distancën shoqërore.
“Nëse i bëjmë të gjitha këto, nëse bëjmë pjesën tonë, ne e bëjmë këtë së bashku, deri më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familjet dhe miqtë tuaj të jenë në gjendje të bëheni bashkë në oborrin e shtëpisë tuaj, ose në lagjen tuaj, dhe të keni një gatim dhe një Barbecue dhe festoni Ditën e Pavarësisë”, ka shtuar ai.
“Unë premtoj se do të bëj gjithçka që kam në dorë. Unë nuk do të ndalem derisa ta mundim këtë virus. Por unë kam nevojë për ju. Populli amerikan, kam nevojë që çdo amerikan të bëjë pjesën e tij. Kjo nuk është hiperbolë, kam nevojë për ju”.