Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se planifikon t’i japë fund luftës më të gjatë të SHBA dhe se është “koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe” nga Afganistani, edhe pse kritikët paralajmërojnë se paqja nuk është e garantuar pas një pranie 20-vjeçare të trupave amerikane atje.
“Ne shkuam në Afganistan për shkak të një sulmi të tmerrshëm që ndodhi 20 vjet më parë,” tha Presidenti Biden. “Kjo nuk mund të shpjegojë se përse duhet të qëndrojmë atje në vitin 2021,” tha ai në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Biden njoftoi se të 2,500 trupat amerikane të mbetura në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen duke filluar nga 1 maji dhe tërheqja do të përfundojë përpara 11 shtatorit.
“Jam presidenti i katërt amerikan që përgjigjem për praninë e trupave të SHBA në Afganistan. Dy republikanë. Dy demokratë. Nuk do t’ia kaloj këtë përgjegjësi një të pesti,” u shpreh Presidenti Biden.
“Është koha për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Është koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe,” tha ai.
Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të punojë për të parandaluar rishfaqjen e terrorizmit .
Njëmbëdhjetë shtatori i këtij viti është një ditë mjaft simbolike, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve të al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara. Ngjarja bëri që Presidenti i atëhershëm George W. Bush të niste konfliktin. Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.
Presidenti afgan Ashraf Ghani shkroi në Twitter se kishte folur me zotin Biden dhe se e respekton vendimin e SHBA. Zoti Ghani shtoi se “ne do të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të siguruar një tranzicion të qetë” dhe “do të vazhdojmë të punojmë me partnerët SHBA / NATO në përpjekjet e tanishme të paqes”.