Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi të mërkurën agjencitë e inteligjencës amerikane që për një periudhë prej tre muajsh t’i raportonin atij nëse koronavirusit i ri e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.
Koronavirusi u shfaq për herë të parë në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019.
Agjencitë duhet të “dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mbledhur dhe analizuar informacione që mund të na sjellin një përfundim dhe të raportojnë brenda 90 ditësh”, tha Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas Biden, agjencitë aktualisht janë të ndara sa i takon burimit të mundshëm të virusit që përfshiu planetin gjatë vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 3.4 milionë njerëz.
Republikanët, përfshirë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kanë promovuar teorinë se virusi doli nga një aksident laboratorik.
Biden zbuloi se dy nga 18 agjencitë e inteligjencës anojnë më shumë nga origjina në kafshë e koronavirusit dhe “një anon më shumë” në teorinë e laboratorit.
Presidenti udhëzoi laboratorët kombëtarë të SHBA për të ndihmuar hetimin dhe i bëri thirrje Kinës që të bashkëpunojë me hetime ndërkombëtare për origjinën e pandemisë.