Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi të mërkurën (26 maj) agjencitë e inteligjencës amerikane që për një periudhë prej tre muajsh t’i raportonin atij nëse koronavirusit i ri e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.
Koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, u shfaq për herë të parë në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019.
Agjencitë duhet të “dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mbledhur dhe analizuar informacione që mund të na sjellin një përfundim dhe të raportojnë brenda 90 ditësh”, tha Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas Biden, agjencitë aktualisht janë të ndara sa i takon burimit të mundshëm të virusit që përfshiu planetin gjatë vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 3.4 milionë njerëz.
Administrata amerikane po i përgjigjet shqetësimeve të brendshme dhe ndërkombëtare për origjinën e koronavirusit si dhe për t’i bërë presion Kinës për të qenë transparente në lidhje me shpërthimin.
Republikanët, përfshirë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kanë promovuar teorinë se virusi doli nga një aksident laboratorik.
Biden zbuloi se dy nga 18 agjencitë e inteligjencës anojnë më shumë nga origjina në kafshë e koronavirusit dhe “një anon më shumë” në teorinë e laboratorit.
Secila nga këto agjenci ka “besim të ulët ose të moderuar” në këto teori, sipas Biden.
Presidenti udhëzoi laboratorët kombëtarë të SHBA për të ndihmuar hetimin dhe i bëri thirrje Kinës që të bashkëpunojë me hetime ndërkombëtare për origjinën e pandemisë.