Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dha “premtim për ndihmë” në zonën Maui të ishullit Hawaii të cilën ai e vizitoi për të shikuar nga afër dëmet e shkaktuara nga zjarri pyjor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një fjalim gjatë vizitës së tij në Hawaii, Biden bëri të ditur se kombi amerikan “mban zi” bashkë me ata që kanë shpëtuar nga zjarri dhe premtoi se qeveria federale “do të vazhdojë të ndihmojë sado që kjo situatë të vazhdojë” për shpëtimin e Maui nga zjarret vdekjeprurëse.
Biden, i cili ka vizituar rajonin 13 ditë pas fillimit të zjarrit në ishull, në një bisedë me të prekurit nga zjarri ku kanë humbur jetën të paktën 115 persona tha se “Ka nënshkruar pa humbur kohë kërkesën e guvernatorit për ndihmë dhe se do të plotësohen të gjitha nevojat e viktimave”.
Presidenti amerikan bashkë me bashkëshorten e tij Jill biden inspektoi me helikopter nga ajri zonën e dëmtuar nga zjarri.
Në anën tjetër, në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, informohet se mbi 1.000 punonjës federalë janë mobilizuar në terren për ndërhyrjen ndaj zjarrit pyjor dhe se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka dhënë një ndihmë prej 8,5 milionë dollarësh për rreth 8 mijë familje të prekura nga zjarri në rajon.
Zjarret në Hawaii
Presidenti Joe Biden, vuri në dukje se zjarret që filluan më 9 gusht në Hawaii, janë “zjarret pyjore më vdekjeprurëse prej më shumë se një shekulli” në SHBA dhe se në kohën më të shpejtë të mundshme do të vizitonte rajonin.
Guvernatori i Hawaii-t, Josh Green, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon “mund të gjejnë rreth 10 deri në 20 trupa në ditë” gjatë punimeve të kërkim-shpëtimit që vazhdojnë në rajon dhe se mund të duhen 10 ditë për të përcaktuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve.
Kryetari i bashkisë së Mauit, Richard Bissen, në një deklaratë në rrjetet sociale njoftoi se për shkak të zjarreve nuk ka asnjë të dhënë për 850 persona.