Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka dënuar veprimin e Bjellorusisë, e cila devijoi një fluturim civil dhe arrestoi një gazetar dhe aktivist të opozitës.
Presidenti Biden e quajti si “incident të shëmtuar” dhe u zotua për një përgjigje të koordinuar me aleatët evropianë.
Deklarata e presidentit Biden u bë disa orë pasi liderët e Bashkimit Evropian u pajtuan të vendosnin sanksione të reja ekonomike ndaj Bjellorusisë.
Në një samit urgjent, udhëheqësit e BE-së u bën thirrje linjave ajrore evropiane të shmangin hapësirën ajrore të Bjellorusisë dhe të ndalojnë fluturimet bjelloruse nga aeroportet e BE-së.
Më 23 maj, Bjellorusia e detyroi një fluturim të Ryanair të devijojë fluturimin nga Greqia për në Lituani dhe të ulet në kryeqytetin Minsk. Pastaj, policia bjelloruse arrestoi gazetarin dhe aktivistin e opozitës, Raman Pratasevich dhe të dashurën e tij.
Disa udhëheqës evropianë e quajtin incidentin si “pirateri shtetërore”.
“Kjo është shkelje direkte e normave ndërkombëtare”, tha presidenti Biden, duke shtuar se ai i ka kërkuar ekipit të tij që të përpilojë opsionet e duhura për të kërkuar përgjegjësi në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian, aleatët dhe partnerët e tjerë dhe organizatat ndërkombëtare.