Konrad Laimer do të largohet nga RB Leipzig në afatin kalimtar të verës dhe do të bëhet anëtar i Bayernit, njoftoi Bild.
Mesfushori austriak do të vijë si lojtar i lirë, pra klubi i Mynihut nuk do të paguajë dëmshpërblim për të sepse i skadon kontrata me Leipzig. Ky do të jetë transferimi i parë që kur trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel, mori drejtimin pas largimit të Julian Nagelsmann, përcjell Fol Drejt.
Laimer është një mesfushor qendror, i cili ka kaluar nëpër të gjitha radhët e të rinjve të RB Salzburg, si dhe filialin e tyre të kategorisë së dytë Liefering.
Ashtu si shumë lojtarë të tjerë të këtyre klubeve të lidhura me biznesin, ai u transferua nga Salzburg në Leipzig në 2017. Deri më tani, ai ka bërë 181 paraqitje për klubin e Bundesligës.
Nga viti 2017 e deri më sot ai ka shënuar gjithsej 13 dhe ka asistuar 19 gola, ndërsa këtë sezon ka qenë dy herë shënues dhe ka asistuar një herë. Sipas Transfermarkt, Laimer vlen 28 milionë euro./FolDrejt/