Nipi i Ismail Qemalit, Eqerem Bej Vlora, ka pas biseduar shpesh me mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogun. Bisedat e tyre janë interesante edhe për sot, për të kuptuar problemet shqiptare. Në vijim keni pjesë të shkëputura nga libri “Kujtimet” të Eqerem Bej Vlorës, informon foldrejt.com.
-Më kujtohet mbreti Zog, kur po bisedonim një ditë mbi fatin dhe suksesin, i cili, me atë realizmin e tij të mprehtë, e karakterizoi me një metaforë e në mënyrë aq saktë thelbin e kësaj dukurie: “Fati, Eqrem bej, më tha ai është një dem tërbuar, e i verbër që shpesh herë na shkel me thundra, por ndodh që edhe të na dalë përpara në një vend të volitshëm. I mençur dhe i zoti është pikërisht ai që e dallon këtë çast, e zë demin prej brirësh, e mposht dhe e ve në shërbim të tij”
…Në mbledhjen e mëngjesit të 31 janarit 1925, Asambleja miratoi krijimin e një Republike Shqiptare, në atë të pasditës, në orën 3.50 ajo zgjodhi njëzëri Ahmet Zogun si President të kësaj republike. Më 7 shkurt në Tiranë erdhën delegacione nga e gjithë Shqipëria për t’i shprehur urimet e vendit për zgjedhjen e si President.
Oportunizmi, madje do të thosha, mungesa e pështirë e karakterit, që vura re unë atëkohë tek anëtarët e komisioneve të ndryshme, dëboi edhe thërrimet e fundit të respektit tim për klasën e re të mesme shqiptare të kohës. Njerëz që më përpara në bisedat me mua, kishin nxjerrë nga goja sharjet dhe shpifjet më të ndyra për Zogun, tani konkuronin kush e kush t’i lëpihej më shumë e të fitonte dashamirësinë e tij.
Në një bisedë me Zogun më vonë, unë e përmenda edhe këtë rrethanë dhe mora përgjigjen e matur të tij: “Mos u shqetësoni për këto vogëlsira, Eqrem bej! Edukata që kanë marrë këta njerëz në shekuj, mungesa e shkollimit dhe e ndjenjës personale të nderit, ka bërë që në marrëdhëniet me zyrtarët ata të përpunojnë një qëndrim të veçantë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë ata me sot e nesër. Dhe meqenëse nëpër qytete ata janë të shumtë, ne duhet t’i marrim ata parasysh në llogaritë tona.” Ai kishte të drejtë!
…Një ditë prej ditësh, rastësisht, e bashkë me mikun tim Myfit bej Libohova, shkuam tek Ahmet Zogu. Biseda u shtjellua rreth shumë problemeve që na shqetësonin asokohe, dhe me këtë rast unë shpreha shqetësimin për zhvillimin e njerëzve të mi, fola për mbivlerësimin që ata i bëjnë vetes kur për riformimin e vendit nuk kufizohen brenda mundësive shqiptare, por duan të shkëmbejnë vende shumë më të pasura dhe përparimtare, të gjitha këto, shtova, më duken tepër jorealiste, sa them që do të isha më mirë në një spital psikiatrik.
Ahmet Zogu më vështroi buzagaz dhe tha: “Ju keni mbetur një idealist i pandreqshërn, Eqrem bej, i cili kujton se ka për mision t’i ndryshojë dhe ti edukojë njerëzit sipas recetës së vet. Të gjitha këto janë teori që nuk të zbatohen në jetën praktike. Shqiptarët janë ata që janë dhe ne duhet të harxhojme kohë dhe energji në qoftë se duam vërtet t’i ndyshojmë ata. Ju jeni produkt i një vendi të varfër dhe i zhvillimit të gabuar mijëvjeçar. Ata nuk mund ti ndryshosh. Ju, me siguri, e dini fjalën e urtë turke që thotë: “Në Turqi ruaj kokën, në Rumani gruan dhe në Shqipëri pasurinë! Këtu nuk bëhet fjalë se çfarë duhet apo mundet të ndryshojë nesër, këtu lipsen siguruar sa më shpejt paratë që mund humbësh shumë shpejt dhe pastaj të presësh se çfarë të sjell e ardhmja.”
Dhe ai kishte plotësisht të drejtë me këtë parim, të cilin e ndoqi me këmbëngulje gjatë tërë kohës së qeverisjes së tij në Shqipëri. Kur ai u detyrua të ikte nga marshimi i trupave të Musolinit, ai ishte beu i vetëm që largohej nga vendi me bindjen disi ngushëlluese se po merrte me vete një thesar tingëllues prej 250.000 apo 300.000 stërlina ar dhe se armiqve u kishte lënë vetëm keqardhjen që nuk u kishte rënë në dorë as vetë, as paratë e tij. Si na mëson fjala e urtë: “Në Shqipëri ruaj pasurinë!”
…Gjatë darkës unë rrija në anën e djathtë të tij, e pastaj me radhë vinin kapiten Blloshmi (një oficer i ri dhe energjik që kishte mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit dhe që unë e doja shumë dhe ish sekretari i Esat pashë Toptanit, Stavro nga Kavaja. Gjatë ngrënies Zogu e ndërsente kapitenin kundër Stavros dhe anasjelltas dhe dukej se zbavitej shumë me fyerjet e rënda që i hidhnin ata njëri-tjetrit. Stavro ishte vërtet një gjysmë bufoni, por replikat, sidoqoftë ishin shumë pak zbavitëse dhe të padrejta, saqë unë krijova mbresën se Zogu dëshironte vetëm të provonte pushtetin e tij mbi të tjerët. Të nxitë grindje, të thurë intriga dhe të ndërsejë njerëzit kundër njëri-tjetrit, ja pra cila qenka urtësia shtetërore dhe kryekënaqësia e Presidentit tonë!