Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë pritur në takim Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li.
Në takim u bisedua mbi sfidat dhe prioritetet e Qeverisë, ku pati theks të veçantë në masat e ndërmarra për lehtësimin e efekteve të krizës së shkaktuar nga agresioni dhe pushtimi rus në Ukrainë dhe mbështetja e shtresave të shoqërisë të cilat janë më të prekura.
“Sa i përket krizës energjetike, që po prek edhe Kosovën sikurse pjesën më të madhe të botës, u veçuan masat e ndërmarra nga Qeveria për kursim dhe subvencionim të energjisë elektrike. Gjithashtu u përmend dhe dyfishimi së fundmi i pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, mbështetja e vazhdueshme për pensionistët, dhe familjet me asistencë sociale, në kuadër të vazhdimit të zbatimit të masave të parashikuara në Pakon e Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Bo Li përgëzoi Qeverinë për ndërmarrjen e masave në kohën e duhur, për të zvogëluar ndikimin te qytetarët të krizës me të cilën po përballet Evropa, përmes mbështetjes së targetuar dhe për të ruajtur stabilitetin makro-fiskal. Ai e vlerësoi pozitivisht vendimin e Qeverisë për moslejimin e tërheqjes së fondeve pensionale nga Trusti, që do të minonte sistemin pensional.
Bislimi dhe Murati vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme dhe thanë se mirëpresin përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar për tejkalimin e sfidave dhe rritjen e bashkëpunimit.