Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka mirëpritur votimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023 – 2027, raporton Fol Drejt.
“Në seancën e sotme të Kuvendit, me 79 vota pro, u votua Programi Kombëtar për Integrim Evropian 2023 – 2027. Ky program përbën një hap të rëndësishëm, duke qenë se është vazhdimësi e Programit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Është dëshmi e rradhës e përkushtimit, seriozitetit tonë në këtë rrugëtim si dhe përgjigje ambicioze për agjendën e Integrimit Evropian.”, shkroi Bislimi në Facebook.
Më poshtë, fjala e plotë e mbajtur në seancën parlamentare:
Më lejoni të prezantoj para jush Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023 – 2027, të miratuar nga Qeveria më 31 mars dhe aprovuar nga Komisioni për Integrim Evropian me 10 maj.
Ky program është vazhdimësi e Programit për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, pra është dokumenti kryesor strategjik i vendit për zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian që dalin si angazhime nga zbatimi i MSA-së dhe mekanizmat e tjerë të këtij procesi. Këto reforma mbulojnë fushat e kritereve politike, atyre ekonomike dhe të standardeve evropiane të njohura si kapitujt e acquis-së.
Programi përmban 242 masa prej të cilave 88 janë masa legjislative, nga të cilat 29 janë projektligje dhe 58 akte nënligjore dhe 1 marrëveshje ndërkombëtare si dhe 154 masa zbatuese.
Buxheti i tërësishëm për zbatimin e Programit, arrin shifrën e 47,129,458 euro, prej të cilave nga buxheti shtetëror janë siguruar 29,337,633 euro dhe pjesa tjetër apo 17,791,825 euro nga partnerët zhvillimorë dhe donatorët. Rrjedhimisht nuk ka asnjë vakum buxhetor për zbatimin e këtij programi.
Masat afatshkurtra që janë të parapara në këtë program janë në harmoni me dispozitat e MSA-së, me konkluzionet e strukturave të përbashkëta institucionale me BE-në siç janë paraparë me MSA-në, me Planin e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane II, me Programin për Reforma Ekonomike 2023 – 2025 dhe Planin Kombëtar për Zhvillim, përfshirë Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2023.
Hartimi i Programit është udhëhequr nga departamentet për integrim evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si institucioni kryesor koordinues, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse për secilin kapitull.
Siç kemi paraparë edhe me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, më 15 dhjetor 2022 kemi dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE.
Në veçanti tani pas aplikimit për anëtarësim kërkohet përshpejtimi i zbatimit të reformave dhe përmirësimi i cilësisë dhe ndikimit të tyre në jetën e qytetarëve e me qëllim pranimin e pyetësorit nga Komisioni Evropian, me të cilin vlerësohet në baza meritore për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim.
Prandaj, ky program është përgjigja jonë ambicioze për agjendën e Integrimit Evropian.
Në këtë kontekst, ju lus që ta miratoni Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027 në mënyrë që të vazhdojmë me monitorim të zbatimit.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj! /FolDrejt/