Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka kërkuar falje, zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, për shtrembërimin e deklaratës lidhur me takimin e tyre në Strasbourg.
Bislimi ka shkruar në “Twitter” se zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, e mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës.
Por Berge e ka demantuar atë, duke e quajtur përshkrim jo të saktë.
“Me keqardhje, ky s’ka qenë përshkrimi korrekt i asaj që kam deklaruar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm në Këshill të Evropës”, ka thënë Berge.
Pas kësaj, Bislimi ka përmirësuar gabimin dhe ka thënë se i vjen keq që ka përdorur termin jo adekuat.
“Me të vërtetë falënderues për zëvendës-sekretarin Bjorn Berge, për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të ishte”ne informuam”, shkroi Bislimi.
Shtrembërimi i deklaratës së Bislimit ngjalli reagime edhe brenda Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për media, tha se kjo ndodh në kohën kur Kosova me të drejtë kërkon përshpejtimin për anëtarësimin e domosdoshëm të saj në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas saj, demantimi nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës është një skandal i madh diplomatik, që i kushton rëndë vendit.
“Është një përfaqësim jodinjitoz nga zoti Bislimi, i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit, pikërisht në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha të anëtarësimit pas suspendimit të Rusisë”, tha Halimi.
E ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, huqjen e Bislimit e ka quajtur skandal.
Ajo tha se deklarata e Bislimit ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.
Sipas Çitakut, ky veprim është mungesës e profesionalizmit, dhe përpos që është skandal, është edhe e dëmshme për Kosovën.