Vizita 3 ditore e zhvilluar në Bruksel me qëllim informimin dhe koordinimin me institucionet kryesore të Bashkimit Evropian, u përmbyll me takimet e zhvilluara me zëvendëspresidenten për Vlera dhe Transparencë në Komisionin Evropian, Vera Jourova dhe mëtej me Drejtoren Menaxhuese për Evropë në EEAS, Angelina Eichhorst.
Pas takimeve në Parlament, Këshill, Komision dhe veçanërisht me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, shoqëruar nga ekipi i tij dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, u takua me zyrtaret nga Komisioni Evropian dhe EEAS, ku i informoi mbi vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton Fol Drejt.
Në takimin me znj. Jourova, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova ka shprehur përkushtimin e plotë ndaj vlerave e standardeve evropiane. Raporti për vendin 2022, riafirmoi progresin e fuqishëm të Kosovës në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale e zhvillimit ekonomik mes shumë të tjerash.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky është një hap i natyrshëm dhe se jemi gati për aplikimin për anëtarësim dhe kalimin mëtej në fazat e ardhshme, me përkushtimin e plotë në rrugën e gjatë përpara dhe në proceset e integrimit evropian. Gjithashtu, përmendi dhe mirënjohjen e veçantë ndaj Presidencës Çeke, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Znj. Jourova shprehu admirimin ndaj hapave dhe politikave në zhvillimin ekonomik e sidomos në luftën kundër korrupsionit. Palët biseduan dhe mbi reformat në sistemin gjyqësor e poashtu rezultatet e qëndrueshme në sundimin e ligjit.
Aplikimi për anëtarësim në BE, është shenjë e përkushtimit maksimal të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, të ndërthurur me mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të BE-së ndaj rrugëtimit e procesit të integrimit evropian të vendit.
Ndërkohë, në takimin me znj. Eichhorst, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se vendimi për aplikimin për anëtarësim ishte lajmëruar që vitin e kaluar dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin. Raporti për Vendin i cili është i pari që përfshin në plotni raportimin mbi Qeverinë Kurti, tregoi se Kosova është tashmë në një trajektore të re të zhvillimit.
Vendi ynë, ka përafruar politikën e saj të jashtme në linjë me Bashkimin Evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe hapave përpara drejt liberalizimit të vizave, elementi përbërës kryesor për ta përmbyllur këtë vit të suksesshëm është aplikimi për anëtarësim në BE.
Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, andaj përshpejtimi i integrimit të rajonit, duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Emëruesi i përbashkët, që unifikon hapat e shpejtë dhe meritokracinë, është demokracia. Një demokraci aktive dhe vibruese, e Kosova, përfaqëson këtë variabël e vlera të orientimit dhe qëndrimit të saj./FolDrejt/