Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi sot nuk arriti të ishte pjesë e Forumit të mbajtur në Beograd, siç ishte e planifikuar, për shkak të ndalimit nga autoritetet serbe.
Pas këtij ndalimi, ka reaguar vetë Bislimi, i cili ka thënë se u është komunikuar se duhet të kthehen për shkak të cënimit të sigurisë, derisa ka bërë me dije se kishin paraqitur kërkesë tek organet qysh javën e kaluar dhe e njëjta u ishte pranuar.
“Për këtë ne kemi paraqitur kërkesë tek organet qysh javën e kaluar dhe e njëjta është aprovuar. Edhe sot gjithçka ka qenë në rregull derisa në një moment të caktuar kur na është thënë se Serbia nuk mund ofroj siguri, apo siguria ka qenë e cenuar që për ne është një sinjal që Serbia ende s’është e gatshme të punojë drejt normalizimit” – ka thënë Bislimi.
“Është pak absurde që në një konferencë për siguri, Serbia publikisht të pranojë se ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë dhe duhet ta pranojë që është e dobët që të ofrojë siguri për pjesëmarrësit.”
“Nuk na ka ndaluar askush por një veturë e policisë i është bashkuar eskorët, pastaj ka kërkuar nga eskorta që të zhvendoset në një pushimore të rrugës dhe pastaj i është komunikuar zyrës sonë ndërlidhëse që duhet të kthehemi për shkak të cenimit të sigurisë”.
“Qëllimi ka qenë pamundësimi i pjesëmarrjes së një zëvendëskryeministri të Kosovës në një forum të tillë në Beograd, meqë është forumi kryesor që mbahet këtë vit atje dhe mendoj se ka qenë një rezistencë e madhe që në një forum të tillë të prezantohet e vërteta e Kosovës” – ka thënë ai./FolDrejt/