Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, raporton Fol Drejt.
“Bashkëpunimi me shtetin e Luksemburgut, është dinamik dhe frytdhënës, e kjo u riafirmua dhe në takimin e sotëm bilateral. Angazhimi në koordinimin dhe thellimin e mbështetjes nga ana e Luksemburgut për Kosovën në fusha si arsimi dhe shëndetësia vijon intensivisht. Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria vlerëson lartësisht kontributin e dhënë nga Luksemburgu si dhe mbështetjen financiare në projekte të ndryshme.”, thuhet në njoftimin për medie të Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrit.
Tutje, në komunikatë thuhet se dy marrëveshjet bilaterale të nënshkruara në muajin korrik të vitit të kaluar, janë vetëm pikënisja e një bashkëpunimi afatgjatë, efikas dhe produktiv. Me Kosovën që ofron mundësi të shumta investimi, popullatë me moshë mesatare të re dhe dinamike e cila premton një të ardhme të suksesshme për vendin.
“Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka një qasje aktive dhe konstruktive, është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara.”, theksohet në komunikatë. /FolDrejt/